8.7 C
Berne
vendredi 11/10/2024

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani (VV me 48%) fituan zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Pritet numërimi edhe rreth 100 mije votave nga diaspora

Prishtinë 14 shkurt -Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Kosovë është rreth 47%. LVV fitoi rreth 48%, pasojnë PDK dhe LDK. Në parlament futen edhe AAK dhe minoritetet. PDK, LDK dhe AAK pranojnë fitoren e LVV, njfton gazeta zvicerane në shqip « Le Canton27.ch

Sipas numërimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.7 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.29 për qind, Lidhja Demokratike me 13.39 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.57 për qind.

Kurti: Nuk do të ketë hakmarrje

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të dielën mbrëma se zgjedhjet e së dielës ishin një “referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit” që u fitua. “Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”.

“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.

Ai tha se bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi. “Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha ai në një paraqitje të përbashkët me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për postin e presidentes.

Zonja Osmani tha po ashtu se “ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandat i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përgëzoi qytetarët e Kosovës që “votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Numërimi i votave mund të marrë disa ditë edhe për shkak të votave me postë dhe atyre me kusht 

Lëvizja Vetëvendosje tha se do të presë rezultatet përfundimtare u bëri thirrje mbështetësve që të shmangin kremtimet në sheshe për shkak të motit të lig por edhe për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sipas rezultateve paraprake nuk duket që Vetëvendosje të sigurojë një shumicë prej 61 votash në parlament për të themeluar e vetme qeverinë, ndërsa një bashkëpunim mes partish është i domosdoshëm për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është kandidat për postin e presidentit, i uroi fitoren lëvizjes Vetëvendosje pas kohë pas fillimit të numërimit të votave.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përgëzoi lëvizjen Vetëvendosje për fitoren ndërsa nënvizoi se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. Ndërsa kandidati i Lidhjes Demkratike të Kosovës për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, tha se merr përsipër përgjegjësinë për rezultatet e kësaj partie.

Pritet numërimi edhe rreth 100 mije votave nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se ka pranuar 43 mijë e 477 pako me fletëvotime, që janë dërguar me postë nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Afati për dërgimin e votave me postë ka qenë nga 2 deri më 12 shkurt.

Më herët KQZ-ja ka njoftuar se për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 103,582 qytetarë jashtë Kosovës u është mundësuar e drejta e votimit.

Ky institucion ka bërë verifikimin e votuesve jashtë vendit, përmes thirrjeve telefonike dhe ka thënë se rreth 27 mijë aplikacione për votim janë refuzuar. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, të drejtë vote kanë 1.794.862 persona.

Derniers articles