9.2 C
Berne
vendredi 11/09/2026

Vuçiç, shpërndau Parlamentin / Shqiptarët e Luginës se Preshevës përballë zgjedhjeve: Të ndarë humbasim, të bashkuar bëhemi faktor

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shpërndau Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të zhvillohen më 25 tetor.

Zgjedhjet e parakohshme në Serbi nuk duhet të shihen nga shqiptarët vetëm si një garë mes partive. Ato duhet të jenë një moment reflektimi: a do të vazhdojmë të shkojmë të ndarë në kutitë e votimit, apo më në fund do ta kuptojmë se pa bashkim politik nuk ka peshë politike?

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shpërndarë Parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme.

Për shumicën e qytetarëve serbë, kjo është një garë politike për pushtetin. Për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, megjithatë, duhet të jetë diçka më shumë: një provë e aftësisë sonë për të mbrojtur interesat e komunitetit shqiptar brenda institucioneve të Serbisë. Sepse problemi ynë nuk është vetëm kush do të fitojë zgjedhjet. Problemi është sa zë do të kemi pas zgjedhjeve.

Beogradi ka politikën e tij. Po  Presherva cfare poltike bën? Kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë.

Beogradi ka treguar ndër vite se di të organizojë dhe të mobilizojë komunitetin serb kur bëhet fjalë për Kosovën. Në vitin 2013, për shembull, udhëheqja e atëhershme serbe, përfshirë Aleksandër Vuçiqin, u angazhua publikisht për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale dhe për mbështetjen e projektit politik G.I. Srpska, që më vonë u shndërrua në bazën e Listës Serbe.

Ndërkohë, shqiptarët e Luginës prej vitesh kanë ngritur shqetësime për përfaqësimin në institucionet shtetërore, arsimin, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe trajtimin e barabartë.

Këtu qëndron paradoksi: Beogradi kërkon unitet politik për serbët atje ku mendon se ka interes strategjik. Ndërsa shqiptarët e Luginës vazhdojnë të hyjnë në zgjedhje të ndarë mes partive dhe liderëve të tyre.

Dhe kur ne ndahemi, askush tjetër nuk e paguan çmimin. E paguajmë ne. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk janë thjesht tri komuna. Janë hapësira ku jeton një komunitet shqiptar që ka nevojë për një strategji politike afatgjatë.

Nuk mjafton të dalim para zgjedhjeve dhe t’u kërkojmë qytetarëve votën. Duhet t’u tregojmë çfarë do të bëjmë me atë votë. A do të luftojmë për përfaqësim më të drejtë? A do të kërkojmë investime dhe zhvillim ekonomik? A do të mbrojmë arsimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe? A do të kërkojmë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në institucionet publike në mënyrë reale dhe proporcionale?

Dhe mbi të gjitha: A do të kemi një zë të përbashkët kur Beogradi merr vendime që prekin drejtpërdrejt shqiptarët? Të shumtë në numër, të vegjël në peshë Ky është paradoksi shqiptar.

Kemi njerëz, kemi intelektualë, kemi biznesmenë, kemi profesionistë dhe kemi parti politike.

Të bashkuar rreth çështjeve themelore, mund të kemi peshë politike dhe disa deputetë. Dhe këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Një mandat mund të jetë personal. Pesha politike është kolektive. Mos e ngatërroni unitetin me uniformitetin. Të bëhemi bashkë nuk do të thotë që shqiptarët duhet të votojnë të gjithë të njëjtën parti. Nuk do të thotë as të zhduken dallimet politike.

Demokracia kërkon pluralizëm. Por pluralizmi nuk duhet të kthehet në vetëdobësim. Partitë mund të garojnë. Liderët mund të kenë pikëpamje të ndryshme. Por për çështjet jetike të komunitetit duhet të ekzistojë një minimum i përbashkët politik shqiptar. Një marrëveshje për interesat themelore. Një platformë. Një koordinim. Një qëndrim. Sepse Beogradi e kupton shumë mirë matematikën e votës. Në politikë nuk mjafton të kesh të drejtë.

Duhet të kesh njerëz që në parlament, në qeveri dhe në institucionet lokale mund të thonë:

“Këtu janë interesat e shqiptarëve dhe për këto interesa ne do të luftojmë.”

Nëse shqiptarët i shpërndajnë votat e tyre në shumë drejtime dhe askush nuk arrin të krijojë peshë të mjaftueshme, atëherë fituesi nuk është domosdoshmërisht ai që mori më shumë vota shqiptare. Fitues është sistemi që vazhdon të vendosë pa pasur nevojë të dëgjojë një zë të fortë shqiptar.

Nuk kemi luksin të luftojmë mes vete. Presheva nuk mund të presë. Bujanoci nuk mund të presë. Medvegja nuk mund të presë. Gjeneratat e reja nuk mund të presin.

Çdo vit që kalon me të njëjtat probleme të pazgjidhura është një vit i humbur. Prandaj, kjo nuk duhet të jetë një thirrje kundër një partie apo në favor të një partie. Duhet të jetë një thirrje përtej partive. Sepse një parti mund të fitojë zgjedhjet. Por vetëm një komunitet i bashkuar mund të fitojë peshë politike.

Tani është momenti qe shqiptarët e Luginës te reflektojme fuqishem te bahskua dhe duhet ta kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: Askush nuk do të na japë peshë politike nëse ne vetë nuk dimë ta ndërtojmë atë.

Nuk mjafton të ankohemi për Beogradin. Nuk mjafton të akuzojmë njëri-tjetrin. Nuk mjafton të kujtojmë diskriminimin vetëm gjatë fushatave. Duhet organizim. Duhet përgjegjësi. Duhet vizion.

Dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë se interesi i komunitetit është më i madh se interesi i çdo partie dhe më i madh se karriera e çdo politikani. Kjo zgjedhje mund të kalojë si gjithë të tjerat. Ose mund të shënojë një kthesë.

Një moment kur shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të thonë: Mund të jemi të ndryshëm politikisht, por kur bëhet fjalë për të drejtat dhe të ardhmen tonë, ne dimë të jemi bashkë.

Sepse historia na ka mësuar një gjë: Të ndarë mund të dëgjohemi. Të bashkuar mund të vendosim. Dhe sot shqiptarëve të Luginës nuk u duhet vetëm një zë. U duhet peshë.

Derniers articles