Albin Kurti dhe Anne-Lise Cattin Hennin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Duke i uruar mirëseardhje, i dëshiroi suksese në detyrën e re ambasadores Cattin Hennin, Kurti u shpreh i bindur se gjatë mandatit të saj marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen edhe më tej.
“Miqësia me Zvicrën e hershme, pasi që u bë strehë e shqiptarëve të përndjekur dhe ndër vite, ka qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës në zhvillim, ekonomi dhe siguri. Rreth 200 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë në Zvicër dhe janë të integruar në shoqërinë zvicerane dhe të lidhur fort me Kosovën, e që vazhdojnë të jenë ura më e fuqishme mes dy vendeve tona. Ata nuk janë vetëm dërgues të remitencave, por edhe investitorë, sipërmarrës dhe krijues të vendeve të punës”, citohet Kurti në komunikatë.
Gjithashtu Kurti falënderoi Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme përmes të tri shtyllave të bashkëpunimit të saj me Kosovën, atë zhvillimore, ekonomike dhe të sigurisë njerëzore, duke theksuar se Kosova është ndër vendet e pakta ku Zvicra i angazhon të gjitha këto instrumente njëkohësisht.
Në veçanti, Kryeministri Kurti falënderoi Zvicrën për praninë e kontingjentit Sëisscoy në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999, si dhe për vendimin e Parlamentit zviceran për vazhdimin e mandatit të tij. Ai theksoi se ky angazhim është dëshmi e besimit dhe e një partneriteti të qëndrueshëm në fushën e sigurisë.
