21.4 C
Berne
dimanche 30/08/2026

Të ndarë përballë së njëjtës mungesë Artisti Rame Dardania – Gjenevë

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në Gjenevë, isha i pranishëm me artin tim për ata që ende mungojnë dhe për familjet që vazhdojnë të presin. Për mua, vendi para Kombeve të Bashkuara ishte vendi i duhur për këtë mesazh.

Të zhdukurit nuk u përkasin organizatave dhe as grupeve

Aty ku mungesa, dhimbja dhe kërkesa për të vërtetën mund të shihen e të dëgjohen përtej nesh. Vitin e kaluar, me të njëjtën shoqatë, kjo kauzë u shënua me marshim dhe me ekspozitë në Shtëpinë e Artit Grütli. Ishte një përpjekje për ta sjellë kujtesën në hapësirë publike dhe për ta bërë të dukshme dhimbjen e familjeve.

Këtë vit, ajo që më la një ndjenjë të rëndë ishte ndarja. Në të njëjtin qytet, në të njëjtën ditë dhe për të njëjtën plagë, u gjendëm në vende të ndryshme. Kjo nuk është kritikë ndaj atyre që dolën për të kujtuar të zhdukurit.

Secili që e mban gjallë këtë kujtesë meriton respekt. Por si artist, e kam të vështirë ta kuptoj ndarjen kur kauza është e njëjtë. Kur dhimbja është e njëjtë, kur familjet presin të njëjtat përgjigje dhe kur qëllimi është i njëjtë, zëri ynë do të duhej të ishte më i bashkuar.

Mungesa e tyre na përket të gjithëve. Arti im para Kombeve të Bashkuara ishte një përpjekje për ta bërë këtë mungesë të dukshme. Jo për të përfaqësuar një anë, por për t’i kujtuar ata që ende mungojnë dhe familjet që ende presin. Sepse përballë së njëjtës mungesë, ndarja nuk e forcon kujtesën. E dobëson zërin e saj. Rame Dardania Artist

Derniers articles