Stamboll, 27 prill – Turqia, si shtet ballkanik i shtrirë në Azi të Vogël dhe në Evropë, në një pjesë të gadishullit, ka një ndikim të rëndësishëm në rajon. Pozita e saj gjeostrategjike është shumë e rëndësishme. Turqia është një shtet i fuqishëm ushtarakisht dhe politikisht, anëtare e NATO dhe aleate e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, për shqiptarët e Kosovës, Turqia shihet si një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.
Kenan Evren gazetarit Nefail Maliqi: Në Turqi janë mbi 5 milionë shqiptarë. Unë nuk jam president turk, por jam president i Turqisë!

Për numrin e shqiptarëve në Turqi ende nuk ka të dhëna zyrtare të sakta. Gazetari i njohur shqiptar në organizatat ndërkombëtare, Nefail Maliqi, gjatë një interviste të zhvilluar para tri dekadave me ish-presidentin e Turqisë, Kenan Evren, kishte marrë një deklaratë interesante. Sipas tij, në Turqi jetojnë mbi 5 milionë shqiptarë.
Madje, sipas rrëfimit, edhe vetë Evren kishte pranuar origjinën e tij shqiptare. Kur gazetari i ishte drejtuar me fjalët “ju jeni president turk”, ai ishte përgjigjur duke qeshur: “Unë nuk jam president turk, por jam president i Turqisë.”
Pra, gjithçka është e qartë, shkruan gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch.
Për numrin e shqiptarëve në Turqi janë dhënë shifra të ndryshme: 3 milionë, 5 milionë, 10 milionë, madje edhe 15 apo 22 milionë. Lidhur me këto dhe me shtrirjen e shqiptarëve në Turqi flet në një intervistë ekskluzive për LeCanton27.ch veprimtari i njohur shqiptar në Turqi, Qamil Bytyçi, i cili jeton dhe vepron në Stamboll.
“Mbi pesë milionë shtetas turq, me prejardhje shqiptare, dhe vetë Qeveria turke, janë të interesuar për statusin përfundimtar të Kosovës, duke e çmuar lart sidomos meritën e presidentit dr. Ibrahim Rugova në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës për botën e pavarur dhe sovrane…”, ka thënë në fillim të intervistës z. Bytyçi.
Z. Bytyçi është me origjinë nga fshati Sllovitë i Lipjanit (Kosovë). Ai ka përfunduar studimet për inxhinieri të makinerisë në Universiteti i Prishtinës, si dhe Shkollën e Lartë në Ferizaj.
- Z. Bytyçi, mund të na flisni pak rreth jush, veprimtarisë dhe funksioneve tuaja (dikur dhe tash në Turqi – Bajrampasha)
Qamil Bytyçi: Në vitin 1964 jemi shpërngulur në Turqi. Shkollën fillore dhe të mesme i kam përfunduar atje, ndërsa studimet e larta i kam kryer në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin e inxhinierisë mekanike. Për rreth 25 vjet kam qenë sekretar i përgjithshëm i Shoqatës “Vëllazëria Shqiptare” me seli në Stamboll.
Nga nëntori 2012 deri më 1 mars 2020 kam qenë ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, e cila funksiononte në kuadër të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës. Nga 1 marsi 2020 deri më 21 dhjetor 2022 kam qenë koordinator i kësaj qendre, e cila u mbyll në atë datë.
Për rreth 12 vjet kam dhënë kurse të gjuhës shqipe në Qendrën Kulturore të Kosovës, në shoqata dhe në universitetin shtetëror Yıldız Teknik Üniversitesi, ndërsa aktualisht vazhdoj mësimdhënien në Shoqatën “Vëllazëria Shqiptare”.
Gjatë luftës në Kosovë (1998) kam botuar librin “Kosova Sorunu – Çështja e Kosovës”. Në vitet 1993–1996, së bashku me Nexhmettin Sedef nga Presheva, kemi botuar revistën “BESA” në gjuhën shqipe dhe turke. Në vitin 2014 kam përkthyer në turqisht librin e Sabit Ukës për shpërnguljen e shqiptarëve nga Serbia Jugore (1877–1878). Ndërsa në vitet 2020–2021 kam botuar librin “Shqiptarët e Harruar në Turqi”, në shqip dhe turqisht.
- Sa shqiptarë ka sot në Turqi dhe ku janë më të përqendruar? Po në Bajrampasha?
Qamil Bytyçi: Për numrin e shqiptarëve në Turqi jepen shifra të ndryshme, nga 5 deri në 22 milionë. Megjithatë, në Turqi regjistrimi i popullsisë nuk bëhet mbi bazë kombëtare, prandaj nuk ka të dhëna të sakta.
Sipas mendimit tim, mund të jenë rreth 5 milionë shqiptarë, por kjo nuk është një shifër zyrtare. Shqiptarë ka në të gjithë Turqinë, por më shumë në pjesën perëndimore: në Stamboll, Izmir, Bursa, Adapazar, Manisa etj., si dhe në Ankara dhe Samsun.
Në Stamboll mendoj se numri i shqiptarëve mund të kalojë 1.5 milionë, ndërsa në Bajrampasha mund të ketë mbi 100 mijë shqiptarë (gjithashtu vlerësim jo zyrtar).
- Diçka rreth parkut të heroit Adem Jashari në Bajrampasha?

Qamil Bytyçi: Parku “Adem Jashari” është hapur në vitin 2009. Në inaugurim kanë marrë pjesë Ministri i Brendshëm i Kosovës Zenun Pajaziti, Ambasadori i Kosovës në Ankara Bekim Sejdiu, Kryetari i Komunës së Bajrampashës Hüseyin Bürge, si dhe shumë qytetarë.
Për çfarë flet libri juaj me titullin “Shqiptarët e harruar në Turqi”?
Qamil Bytyçi: Libri im trajton shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, vendosjen e tyre në qytete dhe fshatra, si dhe historinë e familjeve shqiptare. Libri “Shqiptarët e harruar në Turqi” është i botuar në dy gjuhë: shqip dhe turqisht. Në disa pjesë flitet për fshatra dhe familje konkrete (Statovcë, Pllanë, Prebez etj.). Në fund kam përfshirë edhe lista familjesh muhaxhire nga libri i Sabit Ukës.
Sa studentë shqiptarë ka në universitetet e Turqisë?
Qamil Bytyçi: Në Turqi studiojnë shumë studentë nga trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi). Numri i saktë nuk dihet, por mendohet se janë rreth 1500 studentë. Më së shumti ka në Universitetin Trakya në Edirne, por shqiptarë ka në të gjitha universitetet. Ka edhe studentë ushtarakë shqiptarë në akademitë ushtarake të Turqisë, por për numrin nuk ka të dhëna të sakta.

