Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Prishtinës ka nderin të inaugurojë më 10 nëntor 2025, në orën 14:00, Bursën “Erblin Azizi”, të mundësuar nga Fondacioni “Erblin Azizi” dhe të emërtuar në kujtim të inxhinierit të ri dhe të talentuar, Erblin Azizi, i cili u nda nga jeta më 9 maj 2024, pas një sëmundjeje të shkurtër.
I lindur më 26 gusht 1996 në Bern, me prejardhje nga Gjilani, Erblini u shqua për pasionin e tij të hershëm ndaj shkencës dhe teknologjisë. Ai studioi inxhinieri industriale në ZHAW – Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Cyrih dhe punoi si Product Manager në “Emil Frey”, duke u vlerësuar për profesionalizmin, karakterin dhe shpirtin bashkëpunues.
Bursa që mban emrin e tij do të ndahet çdo vit për 20 vjet me radhë për studentët më të dalluar të vitit të fundit, si shenjë mirënjohjeje dhe përkushtimi ndaj dijes, integritetit dhe kujtimit të një jete shembullore.
Ceremonia inauguruese do të mbahet në Sallën e Inovacionit të FIM.

