14.1 C
Berne
vendredi 18/10/2024

Me ftesë të kryetarit te komunitetit arbëreshë ne Sicili Rosario Petta mori pjesë edhe filantropi Lazim Destani si mysafire nderi në zbulimin e bustit të Skenderbeut  

SIÇILI – Një shtatore e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua në Hora Arbëreshe, bashkinë në zemër të Siçilisë, me rastin e 553 vjetor të vendosjes së shqiptarëve në këtë zonë. Me ftesë të Kryetarit të kësaj bashkie, Z.Rosario Petta, përveç qindra banorëve të zonës, arbëreshë të Italisë, ishin ftuar dhe shumë personalitete të diasporës tonë nëpër botë, si dhe nga Shqipëria. Aktivitetet kulmuan me zbulimin e shtatore së Skënderbeut, dhuratë për këtë bashki nga Shoqara “Hora Arbëreshe” në Zvicër.

Mes shumë personaliteteve të diasporës, i ftuar nga Kryetari Petta, i cili është dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare, ishte dhe filantropi e biznesmeni shqiptar, Z.Lazim Destani. Ky i fundit, nëpërmjet rrjete të tij sociale, njoftoi pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë ceremoni.

“Nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme ishte pjesëmarrja dje në ceremoninë e përurimit të Shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve në Sicili. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhështore kishin ardhur bashkatdhetarë nga të gjitha trojet tona e nga diaspora. Këtu gjetëm pritjen e ngrohtë të vëllezërve tanë arbëreshë e të Kryetarit të kësaj Bashkie, mikut tim Rosario Petta.

Ky komunitet, i shkëputur nga trungu ynë prej më se pesë shekujsh, është shembulli më i mirë dhe meriton çdo lëvdatë për ruajtjen me krenari të gjuhës, kulturës, zakoneve dhe shpirtit kombëtar. Këtë vepër monumentale arti pjesëtarët e diasporës sonë ia bënë dhuratë arbëreshëve në shenjë mirënjohje për kontributin e paçmueshëm që ata dhanë për çështjen kombëtare brez pas brezi, tash e 553 vjet, që kur u shpërngulën në këto anë të Italisë. Me këtë rast, Shoqatën “Hora e Skënderbeut”, themeluar nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër, e falënderoj për ftesën si dhe e përgëzoj për iniciativën dhe angazhimin për realizimin e këtij projekti me peshë kombëtare”, shkruan Z.Destani.

Ndërsa gjatë aktiviteteve të organizuara nga Bashkia Hora Arbëreshe, Z.Destani theksoi faktin se, “sot, , më shumë se kurrë, kemi detyren të mbështesim dhe të forcojmë lidhjet tona me Arbëreshët. Është detyrë e jona të sigurojm që gjuha dhe kultura jonë të vazhdoj të lulëzoj dhe të percillen te brezat e ardhshëm”.

Më poshtë, fjala e plotë e Z.Destani:

I nderuari miku im Rosario,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot jemi mbledhur këtu per të kujtuar dhe nderuar një komunitet të veçantë që ka ruajtur dhe mbajtur gjalle gjuhën, kulturën dhe traditat tona shqiptare për më shume se 5 shekuj. Po flas për Arbëreshët e Italisë, një grup që na mbush me krenari dhe qëndron si një shembull i shkëlqyer i qëndrueshmërisë dhe përkushtimit ndaj rrënjëve të tyre.

Ata erdhen në Itali duke sjellë me vete gjuhën tonë të bukur, zakonet tona të lashta dhe ndjenjën e fortë të identitetit kombëtar. Sot, më shumë se kurrë, kemi detyren të mbështesim dhe të forconi lidhjet tona me Arbëreshët. Është detyrë e jona të sigurojmë që gjuha dhe kultura jonë të vazhdojë të lulëzojë dhe të përcillen te brezat e ardhshëm. Arbëreshët janë dëshmi e gjallë e shpirtit të pathyeshëm shqiptar.

Të nderojmë dhe të respektojmë këtë trashëgimi të çmuar, duke punuar së bashku për ta mbajtur gjallë për brezat e ardhshëm.

I falenderoj të gjithë ata që kontribuan ne mundësin e vendosjes se shtatores së Skenderbeut në kuader të 533 vjetorit këtu te Hora  e Arbëreshëve.

Ju faleminderit!

Derniers articles