(Mead Osmani, Sanxhaku i Nishit gjatë periudhës osmane (Shek. XIX) -(Administrimi, shoqëria dhe zhvillimet politike), Prishtinë:Instituti i Historisë “Ali Hadri”, 2022, 369 f.)
Prishtinë, 4 gusht -Autori prof. asoc. dr. Mead Osmani ka konsideruar se duhet kushtuar vëmendje më e zgjeruar këtij vendbanimi me histori specifike, duke realizuar kërkime të reja në arkiva dhe biblioteka,për të paraqitur të dhëna me interes, të cilat ndriçojnë segmente të caktuara të jetës politike, ushtarake, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe arsimore të sanxhakut të Nishit gjatë viteve 1839-1878. Thuhet ne fillim te parathënies se librit nga Fitim Rifati, njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch
VEPËR ME VLERA SHKENCORE PËR NISHIN DHE RRETHINËN
Studimi monografik “Sanxhaku i Nishit gjatë periudhës osmane (Shek. XIX) -(Administrimi, shoqëria dhe zhvillimet politike)”, i autorit prof. asoc. dr. Mead Osmani, më parë është mbrojtur si tezë e disertacionit të doktoratës. Më pas është ripunuar e plotësuar për të marrë formën që sot e disa muaj nga botimi i është prezantuar opinionit shkencor dhe lexues. Nishi dhe rrethina e tij janë pjesë integrale e historisë së popullit shqiptar deri në vitin 1878.Për të dhe rrethinën e tij, historiografia shqiptare ka shpalosur momente fragmentare në kuadër të makroprojekteve kushtuar periudhave historike deri në vitin 1878, por ky territor historiko-gjeografik nuk është trajtuar hollësishëm nga studiuesit e historisë për periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në këtë kontekst, autori prof. asoc. dr. Mead Osmani ka konsideruar se duhet kushtuar vëmendje më e zgjeruar këtij vendbanimi me histori specifike, duke realizuar kërkime të reja në arkiva dhe biblioteka,për të paraqitur të dhëna me interes, të cilat ndriçojnë segmente të caktuara të jetës politike, ushtarake, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe arsimore të sanxhakut të Nishit gjatë viteve 1839-1878. Autori e ka parë të arsyeshme që strukturën e kësaj monografie ta trajtojë, parashtrojë dhe ndërtojë brenda parathënies, listës së figurave dhe tabelave, hyrjes, tre kapitujve, përfundimit, fjalorthit, shtojcës me fotografi, harta, faksimile e dokumente, treguesit të emrave dhe bibliografisë, duke ndjekur vazhdimisht renditjen kronologjike dhe pikëpamjen tematike.Në kapitullin e parë “Aspekti i përgjithshëm dhe struktura administrative e sanxhakut të Nishit”, paraqiten të dhëna mbi etimologjinë e emrit të qytetit të Nishit dhe studimet lidhur me të, për pozitën gjeografike të qytetit, historikun para periudhës osmane, pushtimin osman të Nishit nga viti 1385 deri në periudhën e Tanzimatit në vitet ‘30-të të shek. XIX. Në këtë kuadër, shpalosen informacione mbi historikun e statusit administrativ dhe strukturës administrative të Nishit në periudhën osmane deri në prag të
386Fitim RIFATITanzimatit, për pozitën e Nishit në rrethana të organizimit provincial osman, për statusin e Nishit si sanxhak administrativ, për kazatë, nahijet, fshatrat dhe lagjet brenda tij. Në këtë zinxhir administrativ, për secilën njësi administrative paraqiten pasqyra kuptimore të funksionimit të tyre në kuadër të aparatit shtetëror dhe administrativ osman. Në këtë kapitull, autori jep një pasqyrë të qartë mbi zhvillimet historike, administrative dhe funksionale të Nishit nga periudha e antikitetit e deri në periudhën osmane të Tanzimatit. Në kapitullin e dytë“Struktura sociale, demografike, kulturore dhe arkitekturore e sanxhakut të Nishit”, shpalosen tabela statistikore të demografisë osmane në përgjithësi dhe të sanxhakut të Nishit në veçanti, për të vazhduar në sythet e mëposhtme me sistemin edukativo-arsimor osman, zhvillimin e arsimit dhe të institucioneve edukativo-arsimore në sanxhakun e Nishit. Dy sythe marrin vëmendjen mbi shkollat myslimane dhe jomyslimane në Nish e rrethinë të tij, siç janë trajtuar nga politika shtetërore osmane. Autori paraqet të dhëna me interes mbi funksionimin e rrjetit të komunikimit dhe shërbimit postar, shtypit dhe telegrafit.
Në vijim të këtij kapitulli është dhënë një tablo realiste mbi institucionet shoqërore, arkitekturën e Nishit dhe qyteteve në kuadër të tij. Xhamitë, mesxhidet, teqetë, zavijet, tyrbet, hamamet, çezmat, vakëfet, çifligjet, kuzhinat popullore, hotelet, kështjellat dhe urat, trajtohen në mënyrë koncize brenda këtij kapitulli. E njëjta pasqyrë jepet për qytetet, si: Leskofci, Vranja, Piroti etj. Në suaza sintetike, autori argumenton pohimin mbi karakteristikat e pasura të Nishit, përfshi edhe segmente të caktuara të shqiptarësisë së tij. Në kapitullin e tretë“Zhvillimet politike, sociale dhe ndërkombëtare që ndikuan në sanxhakun e Nishit (1839-1878)”, autori shpalos reflektime nga ndikimi i rrethanave politike, mbi kryengritjet serbe, shkaqet e tyre dhe ndikimin e jashtëm, mbi nacionalizmin sllav,pansllavizmin, projektin “Naçertania”, luftërat ruso-osmane e serbo-osmane, për të vrarët dhe të ekzekutuarit gjatë fundit të vitit 1877 dhe fillimit të vitit 1878 në sanxhakun e Nishit, për shpërnguljet dhe efektin e politikave serbo-sllave në sanxhakun e Nishit, spastrimin etnik dhe sistemimin e popullsisë së shpërngulur në vilajetin e Kosovës dhe vise të tjera të Perandorisë Osmane, për Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, për njohjen e pushtimit dhe aneksimit serb të sanxhakut të Nishit etj. Marrë për bazë strukturën dhe përmbajtjen brenda tekstit, autori i ofron historiografisë shqiptare argumente të bollshme se kemi të bëjmë me një territor gjeografik e historik me tipare specifike, i cili ka qenë rrugëkalim i proceseve historike, politike, ushtarake, shoqërore e kulturo-arsimore përgjatë periudhës osmane, veçanërisht gjatë viteve 1839-1878. Në këtë
RECENSION387kuadër, autori ka arritur të provojë rolin aktiv të popullsisë shqiptare në këtë trevë, e cila mori pjesë në të gjitha fazat e zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror, në kuadër të heterogjenitetit etnik dhe religjioz që ekzistonte sidomos në qytetin e Nishit. Për hartimin e kësaj monografie autori ka përdorur dokumente arkivore të pabotuara, të botuara, literaturë relevante historiografike, memoaret etj. Të gjitha këto burime janë përdorur me kujdes dhe i janë nënshtruar kritereve themelore. Në pikëpamje metodologjike, autori e ka hartuar këtë monografi, duke respektuar kriteret bazë të shkrimit, duke bërë analiza, krahasime dhe duke dhënë interpretime logjike e të qëndrueshme në përputhje me kritikën shkencore. Ai ka arritur të dallojë subjektin e monografisë dhe ta veçojë rolin e tij në rrethanat e kohës. Në këtë kontekst, duhet përgëzuar guximin e autorit për t’i hyrë më thellësisht studimit monografik të një treve historike komplekse.Marrë në tërësi, vepra “Sanxhaku i Nishit gjatë periudhës osmane (Shek. XIX) -(Administrimi, shoqëria dhe zhvillimet politike)”, e autorit prof. asoc. dr. Mead Osmani, është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin e mëtejshëm të së kaluarës së tërësishme të trevave të caktuara me përmbajtje të historisë shqiptare, të cilat presin akoma gjurmim e studim/ Fitim RIFATI