4.1 C
Berne
mardi 3/12/2024

Ja pse Bellinzona e vleresoi lart piktorin dhe poetin e njohur shqiptar në Zvicër Sylë Mujaj me çmimin special të presidencës së qendrës Ndërkombëtare të letërsisë UNIVERSUM

Poeti dhe piktori injohur shqiptar Sylë Mujaj, exhte i vetmi shqiptar ne Zvicer qr fitoi çmimin special të presidencës së qendrës Ndërkombëtare të letërsisë UNIVERSUM në Bellinzona, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch. Lidhur me kete vleresim nga autoritet helvetike, gazeta kombetare Bota Sot i ka marrur nje intervistë z.Mujaj.

Bota Sot: Mirëdita dhe urimet më të mira për Çmimin e fituar dhe të merituar. Për këtë sukses dhe vlerësim të Komisionit Ndërkombëtar çfarë do t‘i thonit lexuesit të gazetës sonë?

Syle Mujaj: Fillimisht desha t‘ju falëndëroj që „Bota Sot“ pikërisht, sepse e ndjen që ky është gëzim i përbashkët vjen dhe më respekton me anë të kësaj interviste. Përpara emocioneve kaq të mëdha që më dhuroi ky vlerësim ndërkombëtar nuk e kam të lehtë që t‘ia qëlloj me mesazhin tim, por besoj që çmimi nuk më përket personalisht vetëm mua. Ky çmim i përket së pari Kosovës, i përket kombit tim, i përket realizimit të ëndrrës time për të qenë i lirë, i versuar dhe i respektuar nga bota dhe institucionet e kulturuara të saja. Në mbretërinë e ëndrrave secili e ndjen veten princ. Për mua dhe për të gjithë kosovarët tashmë ka perënduar koha e mbrapshtë, kur i paguaje ëndrrat me çmimin ma të shtrenjtë me humbjen e lirisë! Në poezinë time „Ëndrra e mërgimtarit“ dëshiroja me sinqeritet t’u thosha njerëzve mjaft me lotët e trishtimit, mjaft me brengosje e prangosje, tashti jam i lirë, jam kthyer në trollin tim atëror.

Bota Sot: Keni vite që merreni me poezi, që krijoni, që shkruani, apo ky ishte një shpërthim rastësor i ndjenjave tuaja mbas shporrjes së pushtueseve nga Kosova ?

Syle Mujaj: Shpërthimeve të mija, shpirti im ia ka filluar plot para 20 viteve kur u gjenda pranë shokëve të mijë studentë në demonstratë e vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës. Regjimi i Beogradit më dënoi 10 vite burg të rëndë politik. Vuajta izolimin, por kurrë nuk më arrestuan ëndrrën, shpirtin atdhetar timin. Nuk ia arritën qëllimit të tyre, ndonëse prangat e burgut më shtrëngonin fort kyçet e duarve dhe më kishin hyrë thellë në mish.

Kjo, sepse më thellë ishin rrënjët e atdhedashurisë, rrënjët e lirisë, rrënjët e dashurisë për lirinë. I kam cekur këto me shpërthimin dhe vlimin tim poetik në vëllimin „Njerëzit numra“. Jam përpjekur që t‘i mishërojë këto shpërthime dhe në ciklin e pikturave të mija që i kam quajtur „Jam shqiptar!“ Më kaluan 10 vitet e emigracionit politik si pamjet bardh e zi të filmave kalvarikë. U përpoqa të mbijetoj. Ia arrita qëllimit. Bile preka me dorë, me sy, me zemër dhe ëndrrën shekullore – lirinë e trollit kosovar. Tani do të kthehem atje ku i kam varret e të parëve! Ku jam lindur dhe ku kam dëshirë të kontribuojë me të gjitha forcat e mija. Ka shumë punë Kosova! Na presin punë të dobishme për kombin dhe për paqen në atë vend të rrënjëve të mija stërgjyshore.

Bota Sot: Stili juaj poetik nga anon. Pra, nga cili pararendës merr cak?

Syle Mujaj: Më kuptoni, kombi ynë ka lashtësi, ka histori, ka poezi, ka kulturë, ka doket e veta qoftë në art e letërsi, ka dashuri dhe në mesazhet që i ka sjellë njerëzimit me kolosët e vet si At Fishta, Konica, Çajupi, Koliqi, Noli, Frashërllinjtë, Menkulasi, Kadare, Shkreli, Vinca etj. Më duket se për mua asht herët të flitet për stil profesional apo për imitim të ndokujt. Nëse më lejoni, secili ka „stilin“ e vet shpirtëror, kodin e vet moral dhe nga gjoksi i shpërthejnë klithmat e sinqerta. Qoftë peneli mbi pëlhurë, qoftë penda mbi letër për mua janë buajt e shpirtit tim me, të cilët lëroi „pronat e mija“, letrën dhe pëlhurën e bardhë.

Bota Sot: Pra, diçka e veçantë ekziston në krijimet tuaja artistike që e ka nxitur Presidencën dhe Komisionin Vlerësues të Qendrës Ndërkombëtare në Bellinzona që të vendosë çmimin special për krijimet tuaja poetike? Për të ardhmen çfarë keni planifikuar?

Syle Mujaj: Në konkursin ndërkombëtar morën pjesë mbi 600 poetë nga e gjithë bota. Mendoj se fitova çmimin special ngase e veçanta e poezisë time qëndron tek fakti se unë jam malësorë rugovas, jam kosovar, jam prestar i një familje të madhe që quhet kombi shqiptar. Poezia ime ndoshta është e veçantë, sepse ajo buron nga shpirti I sinqertë paqedashës dhe liridashës i kombit, nga dashuria që kanë shqiptarët për jetën, për familjen, për fëmijët, për flamurin, për tokën, për bjeshkën, për të ardhmen që tani e tutje asht me ne. Nuk mund të deklaroj për planet artistike të mijat që i përkasin së ardhmes. Më parë se gjithçka dua shtetin tim, Kosovën time të pavarur, dua të jem qytetar i Republikës më të re të Ballkanit dhe në kuadrin e shtetit tim, të jap kontributin tim maksimal. Kemi rrugë të gjatë për të bërë dhe ka shumë rëndësi që të mos na pritën gjunjët e t‘a lëmë rrugën e nisur përgjysmë. Me padurim pres të ekspozoj punimet e mia në pikturë dhe krijimet e mia poetike në vendlindje në Pejë, në Prizren, Prishtinë e kudo në vendlindje. Me siguri në do të kemi konkurset tona, festivalet tona, ekspozitat tona që do të shprehin me forcën e magjishme të artit, vlerat e asaj toke të shenjtë e të shtrenjtë që quhet Kosovë – Dardania e lashtë ilirike/
Naime Beqiraj

Derniers articles