Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka dalë me një reagim pas kritikave që iu bënë për një takim që pati në Kroaci me ambasadorin e Kosovës atje, Martin Berishaj. Këto kritika ai i mori për shkak të një skandali financiar në Slloveni ku dyshohet se Berishaj është i përfshirë dhe për shkak të hetimeve dhe intervistimit që atij i bëri Prokuroria Speciale.
Deputeti Berisha ka thënë se takimi i tij me ambasadorin në Kroaci ka qenë për shkak ai në një vend mik e përfaqëson Republikën e Kosovës dhe derisa ai e mban këtë post “do të vijojë të jetë edhe adresë e takimeve të tilla”.
“Përtej agjendës ditore politike, unë gjithnjë kam vepruar me logjikën shtetformuese të emancipimit politik dhe respektimit të institucioneve dhe ky takim ishte në kuadër të këtij kursi veprimi. Kjo për faktin e thjeshtë sepse z. Berishaj, nuk përfaqëson vetveten por Republikën e Kosovës në shtetin mik të Kroacisë. Ndërkohë, “patriotë” të vetëdeklaruar në studio televizive, në rrjete sociale vlonin duke predikuar për “mëkatin e madh” që kisha bërë duke kërkuar “kokën” time. Është e vërtetë se Ambasadori Berishaj ka qenë subjekt i hetimit prokurorial dhe hetimit parlamentar (edhe me gjykimin tim politik që mbetet i pandryshuar), por derisa do të shërbejë si ambasador në Zagreb, do të vijojë të jetë edhe adresë e takimeve të tilla dhe jo vetëm. Por çështja është se armata e rrahagjoksve e patriotëve të rrjeteve sociale u gëzua shumë sepse më në fund ju erdhi momenti i duhur që një komandant tjetër i radhës të kryqëzohet dhe të persekutohet”, ka shkruar Berisha.
Ja reagimi i tij i plotë:
Haxhi Qamilët e sotëm ata që deri dje nuk e njohën shtetin e Kosovës e qëndruan kokulur para flamurit shtetëror
Në vizitën time të fundit në Kroaci, ku isha ftuar nga Instituti Shkencor i Fakultetit të Studimeve Kroate të Universitetit të Zagrebit, në simpoziumin e tretë shkencor ndërkombëtar me titull: “Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen evropiane – Krimet komuniste 3”, mes tjerash takova edhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj.
Përtej agjendës ditore politike, unë gjithnjë kam vepruar me logjikën shtetformuese të emancipimit politik dhe respektimit të institucioneve dhe ky takim ishte në kuadër të këtij kursi veprimi. Kjo për faktin e thjeshtë sepse z. Berishaj, nuk përfaqëson vetveten por Republikën e Kosovës në shtetin mik të Kroacisë. Ndërkohë, “patriotë” të vetëdeklaruar në studio televizive, në rrjete sociale vlonin duke predikuar për “mëkatin e madh” që kisha bërë duke kërkuar “kokën” time.
Është e vërtetë se Ambasadori Berishaj ka qenë subjekt i hetimit prokurorial dhe hetimit parlamentar (edhe me gjykimin tim politik që mbetet i pandryshuar), por derisa do të shërbejë si ambasador në Zagreb, do të vijojë të jetë edhe adresë e takimeve të tilla dhe jo vetëm. Por çështja është se armata e rrahagjoksve e patriotëve të rrjeteve sociale u gëzua shumë sepse më në fund ju erdhi momenti i duhur që një komandant tjetër i radhës të kryqëzohet dhe të persekutohet. Por, të mos harrojmë se kam kërkuar e po insistoj në Ligjin e lustracionit, me kushtin që i pari të kaloj në filtrin e tij. Ngase vlerësoj se jam i mbrojtur nga vetë e kaluara e historia ime, dhe i kualifikuar për siguri me çertifikatë sigurie nga organet kompetente, ku monitorohem permanent. Por kjo është e kotë, sepse ne njerëzit e devotshëm të këtij vendi, do të vijojmë luftën për bërjen e Kosovës, shtet demokratik në pajtim me vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit dhe të integruar e në ndërveprim me aleatët tanë. Sot në establishtmentin politik, ka shumë individë që deri dje nuk e njohën shtetin e Kosovës, nuk iu përkulën flamurit shtetëror, e nuk u ngritën në këmbë kur intonohej himni i Kosovës. Djegën dhe përbaltosën, ushtruan dhunë dhe degraduan institucionet dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte ardhja në pushtet.
Siç e shohim edhe sot, në qeverisjen e tyre, nuk kanë bërë asnjë progres për mandatin katërvjeçar dhe kanë ardhur deri aty sa të deklarojnë se opozita po i shtyn zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, debati politik e medial ditor gjithnjë e më shumë vijon të mjegullohet me defilimet e personave që kanë qenë eksponentë e bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror jugosllav e serb. Kjo nuk është e rastit, po bëhet nga frika e një nisme të tillë për hetimin e krimeve të komunizmit dhe dënimin e tyre përmes Ligjit përkatës për dënimin e krimeve të komunizmit, që nga masakra e Tivarit e Drenicës 1945, “turqizimit” dhe ndjekjes për Turqi të shqiptarëve, “Aksionit të armëve” e hetimeve të OZNA, që trajtoi 700 mijë shqiptarë, demonstratave të studentëve të vitit 1981, e deri te lufta kundër regjimit të Millosheviçit e Vuçiqit si trashëgimi e regjimit komunist jugosllav, si dhe rrezikut nga neo komunizmi. Si është e mundur që në vitet e ’90, në organizimin paralel të shqiptarëve të arrihet artikulimi i drejtë i kërkesave për pavarësi të Kosovës, dhe që këta bashkëpunëtorë e gjakprishur të izoloheshin në vendin që e meritonin.
Sot fatkeqësisht në shtetin e pavarur të Kosovës janë bërë patriotët e mirëfilltë e udhërrëfyes për veprimet e duhura. Ky debat argatqikësh në mediat sociale kryesisht, për shkak të mbulimit ligjor të papërgjegjësisë për fjalën publike, është refleksion edhe i edukimit të qytetarëve e mbështetësve partiak në urrejtje, në vend të respektimit të ndërsjellë me ata që mendojnë ndryshe. Është një aksiomë “food for thought”, pa dashur dhe mendoj se as që duhet ta dekontestoj këtë situatë, por, “politikat e brendshme nuk duhet të reflektojnë në politikat e jashtme.” Në fund, ju them se angazhimi im politik do të jetë konsekuent dhe pa kompromis në forcim të qytetarëve dhe rendit e ligjit dhe respektim të institucioneve. Si gjithmonë pa kompromis dhe me dorën në flamur dhe flamurin në zemër, mbrojtja e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran, si amaneti i heronjve dhe dëshmorëve, do të jetë ligji i ecjes së Hisen Berishës në politikën institucionale.