Prej disa ditësh po qëndroj në Benghazi. Ajo që kam parë, informacionet që kam marrë dhe dokumentacioni që kam shqyrtuar më kanë bindur edhe më shumë se shumë prej ngjarjeve që kanë dëmtuar Mabetex-in nuk kanë qenë episode të izoluara, por pjesë e një historie që duhet të zbardhet deri në fund nga organet kompetente.
Gjurmët e kësaj historie, sipas dokumenteve dhe dëshmive që disponoj, shtrihen nga Vlora në Benghazi, nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Kosovë, si dhe në projekte të tjera ndërkombëtare.
Në Benghazi, një nga çështjet më serioze lidhet me aktivitetet e MABCO-s dhe me mënyrën se si është administruar besimi, përgjegjësia dhe autoriteti që Mabetex ua kishte dhënë disa prej drejtuesve të vet.
Sipas dokumentacionit që disponoj, rreth 14 milionë në mjete të gatshme ishin vënë në dispozicion për realizimin e obligimeve kontraktuale. Ndërkohë, dhjetëra kamionë Mercedes na ishin paraqitur përmes fotografive si “forca mekanike” me të cilën do të realizohej kontrata.
Ajo që më pas kemi mësuar ngre dyshime shumë serioze: këta kamionë, sipas informatave tona, nuk ishin angazhuar në kantier në mënyrën që na ishte prezantuar, ndërsa më pas ishin shitur. Pikërisht për këtë dhe për transaksione të tjera financiare, organet kompetente në Benghazi po punojnë për sqarimin e rrethanave.
Por Benghazi është vetëm një pjesë e historisë.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe janë ngritur gjithashtu çështje serioze lidhur me veprimet e ish-drejtuesve Valon Lluka dhe Fitim Pajaziti, përfshirë pretendime për komisione të paautorizuara nga furnitorë të Mabetex-it në projekte ndërkombëtare, si ato në Zimbabve dhe Kenia.
Bëhet fjalë për pretendime që, sipas vlerësimeve tona, lidhen me dëme prej miliona. Përgjegjësinë penale apo civile të secilit nuk e përcaktoj unë dhe as opinioni publik. Atë duhet ta përcaktojë drejtësia, mbi bazën e dokumenteve dhe provave.
Edhe çështja e kompanisë Alhami dhe transaksionet e lidhura me të kanë qenë objekt procedurash në Emirate. Për ne është veçanërisht e rëndësishme të zbardhet jo vetëm destinacioni i mjeteve financiare, por edhe roli eventual i personave që, sipas pretendimeve tona, kanë punuar për dobësimin dhe përjashtimin e Mabetex-it nga tregje ku kompania kishte ndërtuar pozicionin e saj me vite të tëra pune.
Ndërkohë, gjatë kohës kur ushtronin funksione drejtuese në Mabetex, sipas dokumentacionit që disponojmë, po krijoheshin paralelisht struktura dhe interesa të tjera biznesore në Shqipëri dhe Kosovë.
Ekzistojnë gjithashtu fatura dhe pagesa për të cilat kërkohet të sqarohet se çfarë shërbimesh reale janë kryer, mbi çfarë baze janë aprovuar dhe kush ka ushtruar presion për kontabilizimin dhe pagesën e tyre.
Një çështje tjetër që kërkon hetim të plotë lidhet me fabrikën e kërpudhave “Hirano” në Mitrovicë dhe mbështetjen financiare të siguruar nga Bashkimi Evropian për makineri të reja. Sipas informatave që disponoj, ekzistojnë dyshime se pajisjet e financuara nuk kanë përfunduar në destinacionin për të cilin ishte dhënë financimi, ndërsa pajisje ekzistuese dyshohet se janë paraqitur si të reja.
Edhe kjo duhet të sqarohet nga institucionet. Pa paragjykime, por edhe pa kompromis.
Ka edhe shumë çështje të tjera për të cilat pres që drejtësia në Kosovë dhe institucionet kompetente në vendet përkatëse të japin përgjigjen e tyre.
Sa i përket aeroportit, do të presim përfundimin e zhvillimeve dhe më pas do të bëjmë një rezyme të plotë të kësaj historie.
Unë nuk kam ndërmend të zhvilloj gjyqe publike. Nuk kërkoj që dikush të shpallet fajtor përmes një statusi apo deklarate. Kërkoj që dokumentet të shqyrtohen, paratë të gjurmohen, përgjegjësitë të përcaktohen dhe drejtësia të bëjë punën e saj.
Në gjithë këtë histori, një gabim ia pranoj vetes:
U kam besuar njerëzve të gabuar.
Për këtë besim kam paguar dhe vazhdoj të paguaj një çmim të rëndë.
Por nuk do të paguaj edhe çmimin e heshtjes.
Do të vazhdoj të kërkoj zbardhjen e çdo transaksioni, çdo vendimi dhe çdo veprimi që dyshohet se ka dëmtuar Mabetex-in. Jo për hakmarrje. Jo për spektakël. Por për të vërtetën dhe për përgjegjësinë.
Sepse mund ta fshehësh një dokument për një kohë.
Mund ta manipulosh një informacion.
Mund ta keqpërdorësh një pozitë.
Mund edhe ta mashtrosh dikë që të ka besuar.
Por të vërtetën nuk mund ta “avullosh” përgjithmonë.
Prandaj sot, pas gjithë asaj që kam parë dhe përjetuar, më ndjek vetëm një pyetje:
“A janë vallë i drejti dhe budallai e njëjta gjë?”
Jo.
Të jesh i drejtë nuk do të thotë të jesh budalla.
Të besosh nuk do të thotë të jesh i dobët.
Por kur besimi keqpërdoret, heshtja pushon së qeni virtyt.
I bëj thirrje drejtësisë në Kosovë që këto dyshime dhe abuzime të zbardhen deri në fund, pa ndikime, pa selektivitet dhe pa kompromis.
Dëmi i rënd i shkaktuar Grupit Mabetex nuk është vetëm financiar, por edhe reputacional, me jehonë përtej kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Koha është që të flasin faktet, të veprojë drejtësia dhe secili të mbajë përgjegjësinë që i takon.
E vërteta mund të vonojë. Drejtësia mund të kërkojë kohë. Por asnjëra nuk duhet të braktiset. Ky është besimi im tek organet e drejtësisë!
Behgjet Pacolli
