1.4 C
Berne
mercredi 22/01/2025

OKB: Ndërprerja e furnizimeve nga Izraeli mund ta lë Gazën pa energji dhe ujë të pijshëm

« Termocentrali i Gazës është aktualisht i vetmi burim energjie dhe karburanti mund t’i mbarojë brenda disa ditësh », tha OKB-ja

Agjencia humanitare e OKB-së vlerëson se ndërprerja e furnizimit nga Izraeli mund ta lë termocentralin e Gazës pa karburant brenda disa ditësh, si dhe mund të shkaktojnë mungesë të madhe të ujit të pijshëm për 610 mijë njerëz, raporton Anadolu.

« Autoritetet izraelite kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Rripin e Gazës, duke reduktuar orët e energjisë elektrike në 3-4 orë në ditë. Termocentrali i Gazës është aktualisht i vetmi burim energjie dhe karburanti mund t’i mbarojë brenda disa ditësh », tha Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në një konferencë për media në Gjenevë.

Lidhur me ndërprerjen e furnizimit me ujë, Laerke tha: « Ky vendim prek mbi 610 mijë njerëz në Gaza dhe do të rezultojë në një mungesë të madhe të ujit të pijshëm ».

James Elder, zëdhënësi i UNICEF-it, shprehu gjithashtu shqetësim për vendimin e ndërprerjes së furnizimit të marrë nga Izraeli.

« UNICEF-i është i alarmuar nga pezullimi i furnizimit me ujë dhe ushqim në Gaza », tha Elder, duke ua kujtuar palëve detyrimet e tyre sipas ligjeve ndërkombëtare.

Hamasi nisi operacionin « Tufani i Aksasë » kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke u infiltruar në Izrael nga toka, ajri dhe deti. Grupi palestinez i rezistencës tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të bastisjeve në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve kundër palestinezëve.

Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin « Shpatat e Hekurta » kundër Hamasit në Gaza.

Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 704, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha sot herët Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza. Ndërkaq, numri i të plagosurve është rritur në rreth 4.000.

Ndërkohë, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të paktën 900 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2.600 të tjerë janë plagosur në luftime.

Derniers articles