7.6 C
Berne
dimanche 23/02/2025

Donald Trump betohet si president i 47-të i SHBA-së

E përditësuar 18:05) Donald Trump u betua të hënën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

 

Sot, në një ceremoni të organizuar në Rotondën e Kapitolit, Trump ai u betua para Gjykatësit të Lartë, John Roberts. Ai u betua me dorë në një bibël që daton nga 1861-a.

“Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.

“Epoka e artë e Amerikës nis pikërisht tani. Nga kjo ditë e tutje, vendi ynë do të lulëzojë dhe do të respektohet. Unë thjesht e vendos Amerikën në plan të parë…Jam shpëtuar nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhërishme sërish. 20 janari i 2025-s është dita e çlirimit. Shpresoj që zgjedhjet e fundit të mbahen mend si më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në historinë e vendit tonë”, theksoi ai.

Donald Trump, një figurë që ka dominuar politikën amerikane për dekada, do të fillojë një kapitull të ri si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Ndryshe nga inaugurimet tradicionale, kjo ceremoni është zhvendosur brenda për shkak të kushteve të rënda atmosferike, me temperatura që parashikohen të bien deri në -13°C.

Të pranishëm janë liderë politikë nga e gjithë bota, ish-presidentë dhe miliarderë të fuqishëm si Elon Musk dhe Jeff Bezos. Në fjalimin e tij të inaugurimit, Trump pritet të bëjë thirrje për një “revolucion të arsyes së shëndoshë”.

Duke u bazuar në deklaratat paraprake, ai synon të ndryshojë drejtimin e politikave amerikane me veprime drastike që do të nisin që në ditën e parë.

Interesi për këtë inaugurim është i lartë, duke pasur parasysh kthimin politik të Trump pas akuzave penale dhe tensioneve politike që e kanë përshkuar këtë tranzicion të pushtetit.

Përpara kalimit të detyrës, presidenti në largim Joe Biden ka nënshkruar disa falje për figura të njohura si Dr. Anthony Fauci dhe gjeneralin Mark Milley, një veprim që shihet si një përpjekje për të vendosur një linjë të qartë midis dy administratave.

E ardhmja politike e SHBA-ve hyn në një fazë të re, dhe pyetjet për prioritetet dhe qasjet e administratës Trump mbeten të hapura. Me këtë inaugurim, Trump kërkon të vendosë një precedent të ri për lidershipin dhe vendosmërinë politike, duke theksuar premtimin për ndryshime rrënjësore në vend.

Derniers articles