6.3 C
Berne
lundi 2/03/2026

Ramadan Avdiu në Gjenevë: Adem Demaçi do të kujtohet gjithmonë si Prometheu i shqiptarëve

Shkruan: Ramadan Avdiu
      Sot jemi tubuar në këtë solemnitet modest për të shënuar 90-vjetorin e lindjes së personalitetit më të ndritur të historisë sonë të re, simbolit të rezistencës së popullit tonë Adem Demaçit.
Jeta e Adem Demaçit nuk është vetëm histori e zgjimit të ndërgjegjes së një populli që nuk pranoi të jetojë i nënshtruar, por është vetë historia e tij, sepse Ai jo vetëm që zgjoi ndjenjat kombëtare por edhe u mishërua me to, duke u vënë në ballë të rezistencës, për tu bërë frymëzim brezash.
Ishte frymëzim për brezin e Jusuf Gërvallës e Kadri Zekes, Rexhep Males e Nuhi Berishes, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, për të ardhur tek brezi i Xhavit Hazirit,Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit, Ismet Jasharit, Tahir Sinanit etj. Përveçse frymëzues, Baca Adem u bë pjesë e pandashme dhe zë i fuqishëm i luftës deri në çlirimin e popullit dhe atdheut..
Që nga rinia e tij e hershme, si intelektual i ri, baca Adem u përfshi në përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen e rëndë politike, socioekonomike dhe kombëtare të popullit shqiptarë në Kosovë dhe në viset e tjera nën sundimin jugosllav. Ai nuk e pranoi heshtjen, përkuljen, nënshtrimin e frikën si rrugë shpëtimi. Përkundrazi, Ai zgjodhi rezistencën, e ngriti zërin dhe formësoi mendimin politik të popullit shiptar i cili u bë udhërrëfyes për gjeneratat në rrugën e drejt çlirimit të pjesës së robëruar të kombit.
Qëndrimi para organeve të UDB-së e veçënarisht fjalët e tij në gjyq, do të jenë premisë e ndërtimit të personalitetit të Adem Demçit, si figura emblematike me të ciln do të identifikohet gjithë lufta e popullit të robëruar shqiptarë dhe që do të merr epitetin e simbolit të rezistencës sonë kombëtare.
“Prej këtu ku jam, po iu them edhe një herë se; nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, e as në Serbi.
Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për tu bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq”.
Kjo ishte fjala përfundimtare në Gjykimin e parë në mars të vitit 1959 dhe një parashikim profetik i Adem Demaçit…
Karakteri i tij i fortë, qëndrueshmëria morale dhe besimi i palëkundur në të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje e bënë të pathyeshëm përballë një regjimi represiv e okupues…
Adem Demaçi nuk ishte vetëm një i burgosur politik. Ai ishte një mendimtar i thellë i çështjes kombëtare. Në filozofinë e tij politike çlirimtare, ai artikuloi qartë nevojën për barazi, dinjitet dhe vetëvendosje. Ai besonte se liria nuk është vetëm çlirim territorial, por çlirim i mendjes dhe i shpirtit. Shkrimet e tij publicistike ishin thirrje për ndërgjegjësim kombëtar, për unitet dhe për përgjegjësi historike.
Në letërsi, ai la gjurmë të pashlyeshme me veprat e tij që trajtonin dramën e njeriut të shtypur dhe aspiratën për liri. Me romanin e tij të njohur “Gjarpinjtë e gjakut”, ai denoncoi plagët e brendshme të shoqërisë sonë dhe kërkoi emancipim moral e shoqëror si kusht për çlirimin kombëtar. Përmes artit, ai ndërtoi një urë midis rezistencës politike dhe ndërgjegjes kulturore.
Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi mori mbi vete një tjetër barrë historike, atë të përfaqësuesimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë moderne, ai ishte zëri politik i rezistencës së armatosur, duke përfaqësuar aspiratën e një populli për liri para opinionit vendor dhe ndërkombëtar. Me intelektualitetin, urtësinë, vendosmërinë, integritetin dhe autoritetin moral që gëzonte, baca Adem kontribuoi në legjitimimin e luftës për çlirim si një e drejtë e patjetërsueshme e popullit tonë
.
Sot, në 90-vjetorin e ditëlindjes së tij, ne nuk kujtojmë vetëm një individ. Ne nderojmë një epokë të tërë sakrifice dhe qëndrese që ai e mishëroi. Adem Demaçi mbetet ndërgjegjja jonë kolektive, kujtesa jonë historike dhe thirrja jonë e përhershme për dinjitet, liri, zhvillim, e bashkim të kombit dhe për mbrojtjen e interesave dhe lirisë së vet.
Porositë e Adem Demaçit për të qenë të bashkuar, të fortë dhe të vendosur, për të ruajtur dhe forcuar rezultatet e sakrificave të tij dhe shokëve të tij, duhet të jenë udhërrfime për gjeneratat që do të vinë.
Le të frymëzohemi nga jeta e tij, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të bashkuar. Le të kujtojmë se liria për të cilën ai sakrifikoi ka nevojë çdo ditë për përgjegjësi, përkushtim dhe guxim qytetar.
Jo vetëm ata që e kanë njohur, por të gjithë ne, kemi qenë me fat që kemi jetuar në epokën e Adem Demaçit. Ne kemi pasur rastin ta shohim vendosmërinë e tij, ta dëgjojmë fjalën e tij, kurse brezat që do të vinë do të dëgjojnë për të bëmat e tij dhe do të lexojnë fjalën e tij të shkruar.
Adem Demaçi do të kujtohet si Prometheu i shqiptarëve. Ai do të jetojë bashkë me ne sepse vepra e tij e madhe është pavdekshme dhe frymzim për të gjitha gjenaratat që do të vinë.
Lavdi jetës dhe veprës së simbolit të dijes, luftes dhe rezistencës sonë kombëtare, udhërrëfyesit të lirisë sonë Bacë Adem Demaçit!
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë!
Ju falemndërit

Derniers articles