Autorja, Selvete Abdullahu * e ketyre kater poezive qe po ju sejllim si më poshte është bashkëpjesmarrëse me poezitë dhe vështrimet e saj mbi 30 vepra të ndryshme me grup autorësh dhe shumë revista letrare. Është pjesë aktive e jetës letrare e kulturore në Kosovë dhe jashtë saj njëkohësisht edhe mediatike. Prej vitit 2004 është anëtare e lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës dhe njëkohësisht anëtare e Ars Club ”Beqir Musliu” në Gjilan. Autorja vepron dhe jeton në Kosovë dhe punon në profesionin e saj Psikologe, shrkuan gazeta zvicerane ne ship LeCanton27.ch
Dritëroj shqip
Edhe nëse shekujt e Eposit luajnë vallen e Homerit
Mbi një gurë iliada flet gjuhën e shkronjave
E para merrë bajrakun e nis vallen
Mbi urën që lidh brigjet e detit
Si një litar nyjet
Aty ku u shënua mbishkrimi shqip
Odiseja zbathur mbërrin
Liturgjia e fjalës nuk pushon dot
Edhe sikur qielli të ulëras
Nëpër zigzaket e rrugëve t’kohës
Ndër shekuj hapëron gjuha arbërore
Ajo gjen shtigje
E mbijeton kohën
E shkruar në muralet e vendlindjes
Me grafitet n’murë
Se këtu u tha një fjalë e vetme mes shekujve
Edhe kur mbreti bëri mbretërinë
U fol shqip
U varguan nëpër rreshta si një tren në lëvizje
U kthyen në mite
E u lartësuan
Mbetën edhe sot të freskët ata që për këtë Tokë luftuan
Për të bërë shqipen të flitet shqip
Vetëm shqip në trollin arbëror.
Gjuha e alegorisë (Xhubleta)
Sot Fishta vjen me Lahuten e Malësisë
Pa i ndarë viset e fiset
Unë t’u e kujtu Çajupin me elegjitë e tij
Gratë e veshura me xhubleta
Aty në rrethin e Alpeve
Në Pellg të Mesdheut
Porsi ato në Dukagjin
Katër ngjyra thurur
Si katër shtylla
Katër figura qëndisur
Si katër meteor varur
Plotni e nuancave e motiveve
Xhubleta në trupin e një gruaje
E bukura xhubletë
Valëzohet porsi këmbanë
Me copëza gjami e gurë shkëlqyes
Duke theksuar belin e asaj gruaje malësore
Valëzuar ka bashkë me të buzëqeshja
Sinonim i një figure madhështore
Ecur nëpër dekada
Prej kulteve të vjetra pagane
E deri më sot
Rrugëtim i nisur në kohën antike
Në kulturën tonë me pigmentin ilir
Nuk ka kod tjetër që e përshkruan ndryshe
Trashëgiminë tonë pa elozhe
Veç me gjuhën e alegorisë
Xhubletën e lashtë ku u fol shqip
E kënduar në tela të qiftelisë
Kënga e lirisë
BALADË E HUMBUR
Dallgët u përthyen
Përmes një vallëzimi të bukur
Në skenë të hapur
Fytyrën time të vrarë pashë
Qielli u ngrys prej një reje
E shi nuk ra
Mallëngjimi lëshoi rrënjë
Në buzëqeshjen time
Ç’m’u këput shpirti
M’u këput shpirti
Nga një baladë e humbur
Imazh me sy vjeshte
Gjethet e thara përpëliten në sytë e mi
Ca imazhe vizatohen sot
Si dikur lozin heshtur në vallen e pa mbaruar
Ikonat e kohës thërrasin e s’ndalen dot
Si harçe të thyera rendin nëpër bebëzat e mia
Figuracione të hijezuara pa fund
Mes ngjyrash mbeti pigment
Nuhatja ime se do të vish dikur
As hijet mes vjeshtës laramane
Në kapërcim vjetësh s’u lëkunden dot
Dhe me vete morëm botën në sy
Me gjithë ato kujtime të brishta
Bartur mbi supe çantën e grisur
Asnjë kujtim vjeshte nuk arriti të ruhet aty
Veç imazhet e saj në heshtje
Për të mbetur gjithmonë vjeshtë në sytë e mi
Tani me pritjet e vonuara
Si rrëke shiu jehon zëri yt
Shpresat e këputura hedhur në udhëkryq
Ti zemër e vrarë dyfish
Shekujtë e Eposit pritjes i pëshpëriten
Sa pentagrame krijuan simfoni
Gjurmët e kohës mbetur vegim
Lahutë e re thuaja këngës vetëm sot
Këngës që kurrë nuk arrita t’a mësoj!
DA FJALË RRETH AUTORES
Selvete Abdullahu u lind më 14 nëntor 1972 në Prishtinë. Jetoi në fshatin Varosh komuna e Ferizajt ku kreu shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme drejtimi: kulturologjiko-gjuhësor, dega: kulturolog-bashkëpunëtor e kreu në ”Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj. Studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës drejtimi: Pedagogji. Diplomoi në fushën e Psikologjisë së përgjithshme, kurse studimet Master i kreu nga fusha e Psikologjisë Organizative dhe Sociale.
Me shkrime është marrë qysh nga fëmijëria dhe në saje të këtij aktiviteti letrar e kulturor disa herë u shpërblye për suksesin e arritur. Poezitë e saj i lexoi në orët letrare dhe u botuan në fletushka të ndryshme të asaj kohe. Në vitin 2003 botoi librin e parë me poezi “Emërimi i ditës së nesërme”. Në dhjetor të vitit 2015 botoi librin e dytë me poezi“Baladë e humbur”.
Në fund të vitit 2020 doli me dy vepra të ndryshme, veprën poetike “Lot e dashuri” dhe veprën shkencore“Motivimi për të ardhmen”. Në vitin 2022 ka botuar librin me vështrime “Perceptime letrare nga këndi im”. Brenda këtyre viteve botoi shkrimet e saj në gazeta të ndryshme, faqe letrare, internet, portale të ndryshme etj. Autorja është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, dy vite e shpallur nga komuna e Gjilanit (2015/2018) fituesenë fushën e letërsisë,njëkohësisht merret edhe me kritikë letrare.

