BERN – Zvicra po e forcon angazhimin e saj për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Parlamenti zviceran ka miratuar vazhdimin e misionit të SWISSCOY në kuadër të KFOR-it për periudhën 2027–2029 dhe ka autorizuar rritjen e kontingjentit aktual prej 215 ushtarësh me deri në 85 të tjerë, duke e çuar potencialisht numrin në 300 pjesëtarë, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Vendimi vjen në një kohë kur Zvicra e konsideron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor të rëndësishëm edhe për sigurinë evropiane. SWISSCOY është angazhimi më i madh i ushtrisë zvicerane në promovimin e paqes dhe vepron në Kosovë që nga viti 1999, në mbështetje të KFOR-it.
Nga 215 në deri në 300 ushtarë – kjo nuk është vetëm një rritje numerike. Është një sinjal i qartë se Zvicra nuk po largohet nga Kosova, por po e forcon rolin e saj në një mision që synon ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në vitin 2024, Zvicra kishte rritur tashmë kontingjentin nga 195 në 215 ushtarë, pasi mori përsipër drejtimin e kompanisë shumëkombëshe të transportit të KFOR-it.
Mesazhi nga Berna është i qartë: angazhimi zviceran në Kosovë vazhdon dhe, nëse kërkohet, mund të bëhet edhe më i madh.
