12.4 C
Berne
mardi 6/10/2026

Presidenti i Zvicrës Guy Parmelin në Indi: një vizitë shtetërore me fokus te ekonomia, tregtia dhe inovacioni

Bernë, 6 tetor -Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, ka nisur një vizitë shtetërore në Indi, e cila zhvillohet nga 5 deri më 7 tetor 2026. Vizita në Nju Delhi vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Indisë dhe shënon një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanrton27.ch duke ju referuar burimeve zyrtare nga presidenca

Me mbërritjen në kryeqytetin indian, Presidenti Parmelin u prit me nderime zyrtare, duke i dhënë vizitës një dimension të rëndësishëm diplomatik. Në axhendën e tij janë takimet me Presidenten e Indisë, Droupadi Murmu, kryeministrin Narendra Modi dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë indiane.

Një prej temave kryesore të vizitës është bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar. Vizita përkon me njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Partneritetit Tregtar dhe Ekonomik, TEPA, ndërmjet Indisë dhe vendeve të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra. Parmelin merr pjesë gjithashtu në një samit të lidhur me këtë marrëveshje, së bashku me delegacionet e vendeve të tjera të EFTA-s.

Gjatë takimit me kryeministrin indian Narendra Modi, diskutimet janë përqendruar veçanërisht te marrëdhëniet ekonomike, tregtia, investimet zvicerane në Indi, arsimi dhe kërkimi shkencor. Këto fusha konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Një rezultat konkret i vizitës është edhe nënshkrimi i dy marrëveshjeve të reja, njëra në fushën e migracionit dhe tjetra për shkëmbimin e profesionistëve të rinj. Marrëveshjet synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve përtej dimensionit tradicional ekonomik.

Një partneritet që po zgjerohet

Marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Indisë kanë një histori të gjatë. Të dy vendet do të shënojnë në vitin 2028 80-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Sipas autoriteteve zvicerane, lidhjet mes dy vendeve janë sot më të afërta se më parë, ndërsa bashkëpunimi po shtrihet në ekonomi, arsim, kërkim shkencor, inovacion dhe migracion.

Për Zvicrën, India përfaqëson një partner të rëndësishëm ekonomik dhe një treg me potencial të madh. Për Indinë, marrëdhëniet me Zvicrën lidhen jo vetëm me investimet dhe tregtinë, por edhe me teknologjinë, kërkimin shkencor, arsimin dhe lidhjet me hapësirën evropiane.

Në këtë kuadër, vizita e Guy Parmelin nuk është vetëm një vizitë ceremoniale. Ajo zhvillohet në një periudhë kur të dyja palët po përpiqen t’i japin më shumë përmbajtje marrëdhënieve të tyre dhe të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga marrëveshja ekonomike mes Indisë dhe EFTA-s.

Vizita në Nju Delhi pritet të shërbejë kështu si një platformë për të avancuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të përcaktuar fusha të reja bashkëpunimi mes Zvicrës dhe një prej ekonomive më të rëndësishme të Azisë.

Derniers articles