-3.1 C
Berne
mercredi 5/02/2025

Von Der Leyen: BE-ja gati për të nisur shqyrtimin e aplikimit të kanditatrues së Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të nisë punën në trajtimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.

Megjithatë, ajo theksoi se për këtë proces është i nevojshëm një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati”, ka thënë von der Leyenë, duke u përgjigjur në pyetjen e RTK-së.

Kosova ka aplikuar në vitin 2022 për statusin e kandidatit, por deri më tani nuk është trajtuar nga Këshilli i BE-së. Për të mandatuar Komisionin Evropian të punojë në opinionin përkatës, kërkohet një vendim unanim nga të gjitha shtetet anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se edhe çështja e masave është në duar të shteteve anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri për heqjen e tyre.

“E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se, pavarësisht rrethanave, Kosova ka mbështetje të plotë nga institucionet evropiane.

Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e listës, Guxo dhe Alternativa, kanë prezantuar sonte kandidatët për deputetë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Listës prej 110 kandidatëve i prin kandidati për kryeministër, kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ky i fundit në fjalimin e tij ka prezantuar listën e VV-së për të cilën tha se janë njerëz me dinjitet dhe profesionalë.

“Në listën e fitores sonë të madhe në këta 110 kandidatë, gjejmë një gamë të gjerë profesionesh nga njëshi deri 110-shi gjejmë 17 mjekë, 12 inxhinierë e tre të tjerë nga shkencat ekzakte, 12 juristë, 20 ekonomistë, tetë nga shkencat politike dhe integrimet evropiane, 12 nga shkencat e tjera sociale, tre nga marrëdhëniet ndërkombëtare, tetë nga gjuha shqipe dhe ato të huaja, pesë nga gazetaria dhe komunikimi masiv, dy nga bujqësia, tre nga fusha ushtarake, tre nga arti e kultura dhe katër nga sporti”, ka thënë Kurti.

Ai tha se në listën e VV-së 41 janë gra e 69 burra, 14 janë veteranë të luftës, gjashtë nga familjet e dëshmorëve, gjashtë ish-të burgosur politikë. Numri i atyre që kandidojnë për herë të parë është 46, ndërsa i atyre që kanë kandiduar dy herë e më shumë – 64, derisa numri i kandidatëve nga mërgata është tre.

“Ata që garojnë me pragun, ata që garojnë mes vetes në garën për pretendent për garë seriozë dhe janë ata që garën e kanë me vetveten. Ne jemi krejtësisht në gara të ndara. Lëvizja VV së bashkuar me partnerët Guxo e Alternativa garon vetëm me veten, nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta – të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Në dhjetëshen e parë të listës së VV-së janë edhe kryetari aktual i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla nga Guxo, ministrat Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, ministri i Bujqësisë Faton Peci nga Guxo dhe Shqipe Mehmeti Selimi.

Jashtë listës kanë mbetur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu dhe Besnik Bislimi, i cili do të jetë shef i shtabit zgjedhor.

Vetëvendosje ka udhëhequr me Qeverinë Kurti 1, e cila njihet si më e shkurtra në historinë e Kosovës – 50 ditë. Qeveria Kurti 2, e cila doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi për herë të parë një mandat të rregullt katërvjeçar.

Derniers articles