23 C
Berne
samedi 12/09/2026

“Marshi për Liri” mbush sheshin e Prishtinës në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale

Prishjtinë, 12 shtator -Në Prishtinë sot u zhvillua « Marshi për Liri » në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një skenë ku u mbajten fjalime dhe performanca ishte ngritur në sheshin Skënderbeu, i cili ishte mbushur me njerëz, ngjashëm si rrugët që çojnë drejt tij, si sheshi Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës në Kosovë, dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të luftës.

Gjatë fjalimit, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Ai tha se një « proces i padrejtë » do t’i shërbente vetëm Serbisë dhe Rusisë.

“Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se vendimi i 16 shtatorit nuk do të pranohet nëse është “i padrejtë”.

“Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”, tha Hamza.

Para tij, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se katër ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se tani ka ardhur koha që atyre t’u shprehej mirënjohje.

“Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”, tha ai.

Pas përfundimit të marshit, përmes një komunikate për media, edhe Qeveria e Kosovës falenderoi organizatorët e marshit dhe pjesëmarrësit për mesazhin e dërguar.

Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Derniers articles