Gjilan 24 prill -Në kuadër të angazhimeve për forcimin e koordinimit ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe prokurorive të vendit, Kryesuesi i KPK-së, z. Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, znj. Elza Bajrami – Kastrati, znj. Arlinda Muqa dhe z. Visar Krasniqi, ka zhvilluar sot një vizitë pune në Prokurorinë Themelore në Gjilan, të cilët u prit nga Kryeprokurori, z. Arben Kadriu, së bashku me prokurorët e kësaj prokurori.
Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit kanë diskutuar për funksionimin e përditshëm të prokurorisë, rezultatet e arritura dhe sfidat që ndikojnë në efikasitetin e punës.
Kryesuesi Gashi, theksoi se vizitat në prokurori kanë për qëllim forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe vlerësimin nga afër të zbatimit të politikave të KPK-së, duke siguruar që monitorimi të shërbejë si mekanizëm për rritjen e cilësisë, llogaridhënies dhe performancës në sistemin prokurorial.
Në diskutim u identifikuan edhe nevojat prioritare të Prokurorisë Themelore në Gjilan, veçanërisht në aspektin e resurseve njerëzore, mbështetjes logjistike dhe administrative, ku Kryesuesi Gashi, shprehu gatishmërinë për të adresuar këto kërkesa në funksion të përmirësimit të kushteve të punës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rritjes së efikasitetit në trajtimin e lëndëve dhe përshpejtimit të procedurave, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një shërbimi më efektiv për publikun.
Nga ana e tij, Kryeprokurori Kadriu prezantoi rezultatet e fundit të punës dhe angazhimin e vazhdueshëm të prokurorëve për përmbushjen e objektivave institucionale, pavarësisht sfidave me të cilat përballen në praktikë.
Kjo vizitë rikonfirmon përkushtimin e Këshillit Prokurorial për të qenë një partner aktiv dhe mbështetës i drejtpërdrejtë i prokurorive, në funksion të avancimit të sundimit të ligjit dhe forcimit të sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës.
