Të nderuar organizatorë, të nderuar ligjërues, të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të ministrive, Zonja dhe Zotrinjë prezent!
Kam nderin t’ju përshëndes me disa fjalë dhe t’ju uroj punë të suksesshme dhe të frytshme.
Krimet komuniste në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në shtete dhe popuj të ndryshëm, ishin një realitet që pengonte stabilitetin juridik, social dhe ekonomik, dhe në këtë mënyrë zhvillimin e përgjithshëm të popujve të ndryshëm.
Komunizmi si regjim politik në Evropë ra me rënien e Murit të Berlinit, megjithatë ndërgjegjësimi për trashëgiminë e tij të dëmshme ende nuk ka depërtuar as në hapësirën publike as në atë politike, duke marrë parasysh përmasat e përgjithshme të dëmeve që ka shkaktuar.
Me kërkime shkencore mund të përpiqemi të përcaktojmë përmasat dhe seriozitetin e krimeve të kryera në emër të komunizmit, megjithatë me politika shtetërore mund ta mbështesim fuqishëm këtë punë.
Financimi i vazhdueshëm, mbështetja publike, formimi i institucioneve të specializuara, janë ato që shteti dhe autoritetet publike mund të bëjnë për të bërë një hap serioz në këtë drejtim.
Republika e Kroacisë dhe Republika e Kosovës ndajnë një pjesë të përbashkët të historisë komuniste dhe rrugën e përbashkët të vuajtjeve. Prandaj, qëllimi ynë dhe shpresa jonë është që me këtë bashkëpunim të krijojmë korniza të përbashkëta veprimi dhe zbulimi të së vërtetës për këtë pjesë të së kaluarës komuniste, në mënyrë që të kemi themele të shëndosha për të ardhmen e përbashkët.
Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist në Jugosllavi, nën udhëheqjen e eminencës së kuqe komuniste, zbatonte një politikë represive që godiste rëndë popullsinë shqiptare në Kosovë dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Shtypja e popullit shqiptar bëhej me metoda të ndryshme, duke përfshirë arrestime masive, tortura, shpërngulje të detyruara dhe vrasje.
Vetëm gjatë periudhës së politikës diskriminuese dhe shtypëse komuniste, nga viti 1945 deri në 1990, rreth 200.000 shqiptarë u detyruan të linin vendin.
Një shembull i qartë janë protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës në mars të vitit 1981, të cilat forcat jugosllave të sigurisë i shtypën brutalisht. Mijëra studentë dhe qytetarë u arrestuan dhe u torturuan.
Pastaj, Adem Demaçi, që kaloi mbi 28 vite në burgjet jugosllave për aktivitetet e tij politike dhe kërkesat për të drejtat e shqiptarëve, është mnjë tjetër dëshmi e trajtimit çnjerëzor të shqiptarëve. Këto dhe shumë të ngjashme janë një dëshmi tjetër e marrëdhënies çnjerëzore dhe kriminale të atij regjimi ndaj shqiptarëve.
Në periudhën post-komuniste, Kosova ka bërë përpjekje të mëdha në demokratizim dhe integrim evropian, por rreziku nga NEO-KOMUNIZMI mbetet ende një sfidë. Edhe pse Kosova punon aktivisht për zgjidhjen e këtij problemi, ka ende shumë punë për të bërë.
Për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe të barabartë, është imperativ që t’i kushtohemi krimeve të komunizmit nga e kaluara dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë që kujtesa e këtyre krimeve të jetë një udhërrëfyes për një të ardhme më të mirë dhe paqe të përjetshme.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe përkushtimin tuaj ndaj kësaj çështje shumë të rëndësishme. Edhe një herë, ju uroj ligjëruesve punë të suksesshme në këtë konferencë dhe shpresoj se do të arrini në zbulime të reja që do të ndikojnë në kujtesën evropiane për shekullin dinamik të 20-të.