5.6 C
Berne
jeudi 26/02/2026

Deputeti Kamberi nga Amerika i pergjigjet ministrit te Serbise Demë Berisha se «Cështja shqiptarëve të Lugines do zgjidhet në Uashington e jo në Beograd»

Uashington, 4 shkurt – Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i shoqëruar nga kryetari i degës së PVD-së në Bujanoc, Ragmi Mustafi, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Uashington, ku kanë zhvilluar një seri takimesh të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane, raporton korrespondenti i gazetës zvicerane në shqip LeCanton27.ch.

Ndërkohë, ministri i qeverisë së Vuçiqit, Demo Berisha, dje deklaroi se: « Çështjet e shqiptarëve duhet të zgjidhen në Beograd, e jo në Uashington. »

Në përgjigje, Shaip Kamberi theksoi se Kongresi amerikan ka futur në agjendë diskriminimin ndaj shqiptarëve etnik në Serbi, duke bërë të qartë se komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës kërkon mbështetje ndërkombëtare për të drejtat dhe barazinë e tij.

Perderisa ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Serbisë, Demo Berisha, deklaroi se “Çështjet e shqiptarëve duhet të zgjidhen në Beograd e jo në Uashington”, deputeti shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi, i përgjigjet nga Amerika: “Çështjet e shqiptarëve duhet të zgjidhen në Uashington e jo në Beograd”, raporton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch.

Kamberi ka bërë të ditur se në kryeqytetin amerikan ka pranuar personalisht nga kongresisti Keith Self kopjen e Rezolutës H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, dokument që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

“Sot, në Uashington, kongresisti amerikan Keith Self ma dorëzoi personalisht H.R. 6411 – ligjin që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të SHBA-së. Ky akt nuk është simbolik. Është një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” ka shkruar Kamberi, citon LeCanton27.ch.

Ai theksoi se për herë të parë kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral. Kamberi falënderoi kongresistin Keith Self “në emër të çdo shqiptari të Luginës së Preshevës”, duke shtuar se “në një botë ku shumë heshtin nga interesi, kongresisti Keith zgjodhi të flasë nga parimi”.

Sipas LeCanton27.ch, gjatë qëndrimit në Uashington, Kamberi dhe ekipi i tij zhvilluan gjithashtu një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së me Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe me Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë. Në këtë takim, Kamberi përcolli drejtpërdrejt zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke folur për diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet dhe politikat shtetërore të Beogradit që, sipas tij, synojnë “zhdukjen administrative” të shqiptarëve.

Ai vlerësoi edhe mbështetjen e miqve të shqiptarëve në SHBA, veçanërisht Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqin, të cilët kanë shërbyer si ura e drejtpërdrejtë drejt institucioneve amerikane.

“Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë. Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington. Lugina e Preshevës nuk është temë lokale – është çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit në Ballkan,” përfundoi Kamberi.

Derniers articles