Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ndodhet në Bruksel ku do të takohet me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Bashkimit Evropian.
Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, takimet do të zhvillohen prej orës 13:30.
Po ashtu, këta liderë do ta takojnë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takime të tilla pritet të zhvillojë ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ato janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano
Kurti dhe Vuçiq po priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel