Fatos Lubonja tha se gjendja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ka vendosur në plan të dytë se cila parti ka qenë më e votuar në raport me problematikën e pamundësisë së krijimit të një qeverie stabile, sidomos në kontekstin e Kosovës në raport me Serbinë dhe me atë ndërkombëtar.
“Ndjeshmëria kryesore që është krijuar pas këtyre zgjedhjeve është se shoh këtë çarjen e madhe, ku në një krah Vetëvendosja kërkon, pak a shumë, të qeverisë e vetme, sepse kohëve të fundit kam parë që ka disa tentativa, dhe nga krahu tjetër është opozita me 2-3 partitë kryesore që nuk duket se kanë aq sa duhet, për mendimin tim, parasysh një situatë që është në horizont, që janë rreziqet që i dalin Kosovës, në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare, që kërkojnë që medoemos një qeveri që të jetë përtej egove të të gjithë këtyre partive, e që ka në fokus a prioritet pikërisht këtë çështje”, tha Lubonja.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve nuk na jep mundësinë që të themi se është një forcë, siç ishte Kurti dhe merr të gjitha përgjegjësitë.
“Tash është një gjë bile shumë më e fortë se situata kur ishte Kurti katër vjet më parë në kuptimin e rreziqeve që i paraqiten Kosovës”, tha Lubonja.
Përqindjen e madhe të votave të fituara nga LVV, Andi Bushati nuk e ndërlidhë me situatën e radikalizuar me Serbinë, sepse, sipas tij, përveç ndjesisë patriotike, një qeveri merr vota edhe sa i kënaq pritshmëritë e votuesve.
“Në qoftë se kapemi me katër vjet më parë, VV ka një rënie, por nëse faktorët që kanë ndikuar në fitoren plebishitare të katër vjet më parë, Vetëvendosja prapë ka marrë një rezultat maksimal që rrallë parti e kanë marrë në Kosovë. Ky rezultat maksimal përveç të tjerave vjen edhe si pasojë e mbrojtjes ose të asaj aoreloles patriotike të konfliktit me Serbinë, por jo detyrimisht do të linte Qeverinë Kurti të mbi 50%”, tha Bushati.
Ndërsa për Mentor Nazarkon rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit, shumë i mirë për Vetëvendosjen dhe sipas tij është rezultat i arritur saktësisht për shkak të luftës me Serbinë, ose i asaj që, sipas tij, quhet luftë propagandistike, apo në takimet ndërkombëtare të Qeverisë së Kosovës, por edhe disa veprime të saj për të vendosur autoritetin në veri të vendit.
“Pra nëse ka ndonjë faktor të qëndrueshëm që ka përcaktuar këtë rezultat të shkëlqyer të saj, është pikërisht kjo lloj kundërvënie ndaj Serbisë. E quaj rezultat të shkëlqyer sepse VV ka pasur përballë të gjitha partitë politike, SHBA-në, BE-në, dhe këtë e arriti sepse e mitizoi përplasjen me Serbinë”, tha Nazarko.
Lidhur me formimin e qeverisë, Lubonja tha se kjo mund të arrihet nëpërmjet negociatave.
“Nuk është halli se çfarë do të bëhet me 15 prill, është halli se çfarë do të bëjmë me krijimin e një platforme, veçanërisht lidhur me politikat e jashtme, që këtu të mos ketë kontradikta, derisa në punë të brendshme mund të vazhdojmë konflikte, por problemi është se a e ka Albin Kurti këtë ide, apo mendon se është Skënderbe i radhës së Shqipërisë, ky është një problem që duhet ta kapërcejë ai, mua më duket se ai e ka të vështirë, por duhet ta ketë të nevojshme që ta bëjë, sidomos kur s’e merr dot pushtetin”, tha Lubonja, derisa shtoi se duhet shikuar partitë tjera sa fuqi kanë që, në njëfarë mënyre për interesa më të mëdha të afrohen dhe të vënë kushte duke ruajtur identitetet e tyre dhe ato çfarë përfaqësojnë ndryshe. “Unë Kosovën nuk e shoh të pjekur për këtë punë”, nënvizoi ai.
Ndërkaq Bushati për çështjen e formimit të qeverisë në këto kushte tha se është e pamundur të arrihet një marrëveshje.
“Pra ka një lloj pragmatizmi, por edhe mungesë të një transparence. Por problemi është, edhe në qoftë se bëjnë 61 deputetë bashkë me minoritetet joserbe a do të ketë VV një qeveri të fortë? A do t’i rezistojë hendekut pas 8 muajsh të krizës presidenciale? A mundet t’i rezistojë një presioni siç e kishte përpara firmosjen me Serbinë për të bërë koncesione, pra në të gjitha rastet do të jetë një qeveri e dobët”, tha Bushati.
Kurse Nazarko lidhur me këtë çështje tha se Kosova nuk e ka luksin të hyjë në një cikël të qeverive të dobëta apo qeveri afatshkurta.
“Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, për shkak të luftës në Ukrainë, për shkak të ndryshimit të administratës në SHBA, dhe përballë Serbisë duhet një qeveri sa më e përbashkuar, me bazë të gjerë”, tha ai.
Lubonja nga ana e tij tha se në politikat e jashtme veçanërisht, duhet të ishte gjendur një zgjidhje, jo dmosdoshmërisht ajo që do Kurti.
Derisa Bushati ndërhyri duke i thënë se si mund të jenë të përbashkëta kur njëri i thotë se duhet nënshkruar marrëveshjen për ndarjen ose për shkëmbim të territoreve, tjetri të thotë të nënshkruash marrëveshjen për Asociacionin siç të thotë Evropa.
Lubonja lidhur me veriun tha se mund të ndryshojmë pak qëndrimin lidhur me veriun, si duhet trajtuar atë, derisa Bushati, nga ana e tij, tha se nuk duhet trajtuar teorikisht, teksa përmendi Banjskën dhe Radojçiqin.
Ndërsa Nazarko tha se po të kishte marrëdhënie të mira qeveria e Kosovës me NATO-n, me SHBA-në, me BE-në me KFOR-in, Banjska nuk do të kishte ndodhur.
“Pra e gjithë incidentet që kanë ndodhur në veri është pasojë e prishjes së raporteve të Kosovës me Perëndimin. Serbia e pa që Kosova u dobësua për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Perëndimin dhe ndërtoi një incident që ishte provë nëse mund të shtyjë më përpara apo jo”, tha Nazarko. /RTK