Izraeli ka kryer sulme në 139 shënjestra në gjithë Rripin e Gazës. Protestat pranë xhamisë Al-Aksa në Jerusalem. Ky tempull është vendi i tretë i shenjtë për myslimanët.
Shtete nga e gjithë bota kanë bërë thirrje për qetësi pas disa ditëve të trazirave, që janë kthyer në sulme sulme hakmarrëse nga izraelitët dhe palestinezët.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të ulin tensionet sa më shpejt që është e mundur.
Dhuna është përshkallëzuar në mbrëmjen e së hënës pasi militantët palestinezë kanë gjuajtur raketa drejt Jerusalemit.
Si përgjigje, ushtria izraelite ka nisur sulme ajrore kundër shënjestrave të militantëve në Rripin e Gazës.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë në Gaza kanë thënë se 22 persona, përfshirë nëntë fëmijë, kanë vdekur në sulme.
Ushtria e Izraelit ka thënë se të paktën 15 anëtarë të grupit të Hamasit, që drejtojnë Gazan, kanë qenë në mesin e të vdekurve.
Hamasi ka kërcënuar me sulme, pasi qindra palestinezë janë plagosur në përleshjet me policinë izraelite në një qendër të shenjtë në Jerusalem, ditën e hënë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Hamasi ka “kaluar linjën e kuqe”, dhe se Izraeli do të përgjigjet me “forcë të madhe”.
Në ditët e fundit është parë dhuna më e madhe ndër vite në Jerusalem, me përleshje në mes të policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në pjesën e vjetër të qytetit të Jerusalemit.
Përleshjet kanë nisur pas rritjes së zemërimit të palestinezëve rreth kërcënimeve për dëbime të familjeve nga shtëpitë e tyre në Jerusalemin Lindor nga ana e izraelitëve.
Kjo pjesë e qytetit konsiderohet kryesisht arabe.
Më herët gjatë ditës së martës, grupi humanitar Gjysmëhëna e Kuqe palestineze, ka thënë që më shumë se 700 palestinezë janë plagosur në përleshjet me forcat e sigurisë izraelite në Jerusalem dhe në zonën e Bregut Perëndimor.
Bombardimet nuk janë ndalur gjatë natës, pasi zhurma e raketave palestineze dhe sulmeve ajrore izraelite është dëgjuar në këto rajone të martën në mëngjes.
Izraeli ka kryer sulme në 139 shënjestra në gjithë Rripin e Gazës. Protestat pranë xhamisë Al-Aksa në Jerusalem. Ky tempull është vendi i tretë i shenjtë për myslimanët.
Në një sulm një grua është vrarë dhe dy janë plagosur, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë.
Ndërkohë, Hamasi ka lëshuar raketa në qytetit Ashkelon, në jug të Izraelit.
Ai ka thënë se sulmi ka qenë hakmarrje ndaj sulmit izraelit në një bllok civil afër qytetit të Gazës.
Një burim nga Hamasi i ka thënë BBC-së në mëngjesin e së martës që më shumë se 300 raketa janë hedhur nga Gaza në 12 orët e fundit.
Si po reagon bota?
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se Hamasi duhet të ndalë sulmet me raketa “menjëherë”, duke shtuar se të gjitha palët duhet të ulin tensionet.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka bërë të njëjtat thirrje, duke thënë se presidenti amerikan, Joe Biden është i shqetësuar seriozisht për dhunën.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominici Raab ka thënë përmes një postimi në Twitter se sulmet me raketa ‘duhen të ndalen”, duke bërë thirrje për ndalje të shënjestrimit të popullsisë civile.
Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell ka thënë se “rritja e shkallës së dhunës” në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemin Lindor “duhet të ndalet menjëherë”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur një takim urgjent të hënën për shkak të situatës së krijuar, mirëpo asnjë deklaratë nuk është lëshuar pas takimit.
Një diplomat i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Press se Kombet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, që shpesh ndërmjetësojnë në mes të Izraelit dhe Hamasit, janë duke tentuar të ndalin luftimet.
Pse Jerusalemi është në qendër të tensioneve?
Ky qytet me disa zona të shenjta, është qyteti më i ndjeshëm në konfliktin që ka zgjatur për dekada në mes të izraelitëve dhe palestinezëve.
Përveç rëndësisë fetare dhe pretendimeve kombëtare – Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe e konsideron gjithë qytetin si kryeqytet të vetin, ndonëse një gjë e tillë nuk njihet nga shumë shtete tjera.
Palestinezët pretendojnë se gjysma lindore e qytetit do të jetë kryeqyteti i shtetit që dëshirojnë ta kenë në të ardhmen.
Zona kodrinore ku kanë nisur përleshjet është e rëndësishme si për hebrenjtë ashtu edhe për myslimanët.
E njohur nga myslimanët si Haram al-Sharif, kjo pjesë e qytetit konsiderohet si vendi i tretë më i shenjtë në Islam, derisa për hebrenjtë është pjesa më e shenjtë dhe njihet si Mali i Tempullit.
Izraelitët kanë thënë se dhuna aktuale është planifikuar më herët nga ekstremistët palestinezë, ndonëse një seri veprimesh kanë nxitur trazirat në Jerusalem.
Të hënën, një marsh i planifikuar nga nacionalistët izraelitë, që parashihte parakalimin në zonat myslimane në Jerusalemin Lindor, është anuluar për shkak të shqetësimeve për dhunë.
Përmes këtij marshi çdo vit shënohet pushtimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli më 1967.
Shumë palestinezë e shohin këtë marsh si provokim.
Marshi i këtij viti do të zhvillohej edhe në ditët e fundit të Muajit të shenjtë të Ramazanit./Rel/