Behgjet Pacolli: Arkitekti i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës që meriton të vlerësohet lartë
Bernë, 6 shkurt -Behgjet Pacolli, ish-presidenti dhe ish-zv.kryeministri i Kosovës, është një nga figurat më të njohura në trojet shqiptare, jo vetëm si sipërmarrësi më i suksesshëm dhe i famshëm, por edhe si humanist dhe biznesmen ndërkombëtar. Këtë e shkruajnë mediat zvicerane në shqip, LeCanton27.ch.
Redaktori për marrëdhënie ndërkombëtare i kësaj gazete ka shkruar:
« Si gazetar që punoj mbi dy dekada në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare (BE, Interpol, KE etj.) dhe si anëtar i Komitetit të Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Botërorë në Gjenevë, mund të them se lajmet negative për Behgjet Pacollin në mediat serbe dhe të Ballkanit nuk janë të habitshme. Pjesa më e madhe e këtyre mediave dhe portaleve nuk janë serioze, merren me dezinformata dhe lajme sensacionale. »
« Do të ishte shqetësuese nëse një gjë e tillë do të ndodhte në mediat zvicerane ose evropiane, ku gazetaria profesionale nuk lejon dezinformatat dhe ku funksionon shteti juridik, jo si në Ballkan — sallamadi. »
Qentë lehin, por karvani ecën
Behgjet Pacolli ka ndërtuar ura ku nuk kishte rrugë, duke bërë të njohur Kosovën atje ku askush më parë nuk kishte trokitur. Mbi 46 njohje zyrtare të shtetit të Kosovës janë arritur direkt përmes përpjekjeve të tij, 26 prej tyre në Afrikë, ku Kosova nuk kishte asnjë prezencë diplomatike.
Historia nuk shkruhet me inate dhe xhelozi. Nuk mund të fshihet një realitet që të gjithë e dinë: Behgjet Pacolli ka qenë dhe mbetet kontribuesi më i madh individual në rritjen e njohjeve të Kosovës në botë. Për Kosovën, zëri, përvoja dhe përkushtimi i tij janë më të nevojshme se kurrë. Nuk është koha për ta injoruar, por për ta përkrahur.
Shkrimet e fundit që tentojnë ta njollosin ish-presidentin Pacolli nuk kanë sukses. Përkundrazi, ato njollosin autorët dhe mediat që i publikojnë, sepse qytetarët e Kosovës e njohin shumë mirë Pacollin dhe kontributin e tij si për shtetin, ashtu edhe për qytetarët.
Dosja “Epstein” dhe Pacolli
Nëse pyetet ChatGPT, përgjigjja është: Po — emri i Behgjet Pacollit përmendet në “Dosjen Epstein”, sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA. Konkretisht, emri i tij shfaqet në një email të vitit 2012, me titull “Who is Behgjet Pacolli?”, dërguar Jeffrey Epstein nga një zyrtar konsullor i Kosovës në Tajlandë. Emaili përmend një video informuese për Pacollin, pa prova për përfshirje kriminale.
Pacolli ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë përfshirje në aktivitetet e Epstein-it. Pra, sipas hetuesve ndërkombëtarë, emri i tij është përmendur, por nuk ka prova për veprimtari të paligjshme.
« Natyrisht, kjo nuk u pëlqen dashakeqëve që presin të përfshijnë emrin tim në skandale. Disa prej tyre, të fshehur pas maskës së gazetarit, e quajnë ‘tmerr’ faktin që dikush tregon kush është në të vërtetë Behgjet Pacolli. Por, për dashakeqët më kujtohet një thënie e vjetër arabe: Qentë lehin, por karvani ecën i qetë. Gjëja më e çmuar për njeriun është qetësia shpirtërore — ndjenja e thellë kur e di se nuk ke nevojë t’i japësh llogari as drejtësisë, as shoqërisë, pos para Zotit. »
Përfundim
Behgjet Pacolli nuk mund të komprometohet nga shpifjet apo spekulimet. Ai ka ndërtuar urat diplomatike dhe ka dhënë kontributin më të madh individual për njohjen e Kosovës në botë. Media e pandërgjegjshme mund të përpiqet ta njollosë, por qytetarët dhe historia e dinë të vërtetën.
« Qentë lehin, por karvani ecën — dhe Pacolli ecën i qetë përpara. »
Shkruar nga redaktori për marrëdhënie ndërkombëtare i gazetës zvicerane në shqip LeCanton27.ch.


