-1.5 C
Berne
lundi 12/01/2026

Kolonizimi i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me serbë dhe “shqiptarë të serbizuar”

Shkruan: Nehat Hyseni

Historia e dhimbshme e shqiptarëve në përgjithësi, në të gjitha trojet ku ata jetojnë sot të ndarë në pesë-gjashtë shtete, dhe në veçanti ajo e Kosovës Lindore, përkatësisht e Luginës së Preshevës – Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, si dhe në Vranjë dhe viset e tjera në Serbi – nuk është thjesht histori hapësirash gjeografike. Ajo është histori tragjedish të përsëritura, dhimbjesh kolektive dhe ndërprerjesh të dhunshme të vazhdimësisë etnike shqiptare. Këto hapësira kanë qenë terrene përplasjesh të politikave të mëdha shtetërore, identiteteve, feve, kolonizimit dhe rezistencës. Historia e tyre nuk është e rastësishme – ajo është e projektuar. Dhe ndoshta asgjë nuk e shpjegon këtë më qartë sesa procesi i kolonizimit serb dhe serbizimit të shqiptarëve të krishterë, një fenomen i dokumentuar madje edhe nga vetë autorët serbë të kohës.

Kongresi i Berlinit dhe dëbimi i shqiptarëve Viti 1878 përbën një pikë kthese vendimtare. Serbia, e zgjeruar pas luftërave me Perandorinë Osmane, merr nën kontroll Toplicën, Prokuplën, Leskovcin, Kurshumlinë dhe Vranjën. Në këto hapësira, shqiptarët përbënin shumicën absolute të popullsisë. Brenda pak muajsh, dhjetëra mijëra shqiptarë dëbohen dhunshëm nga trojet e tyre. Në vend të tyre vendosen kolonë serbë. Një pjesë e shqiptarëve të dëbuar strehohet në Preshevë, Bujanoc dhe Kumanovë, duke krijuar një tension të ri demografik, i cili do të shpërthente më vonë në forma të tjera represioni. Tetor 1912 – Presheva dhe Bujanoci bien nën Serbi, kurse Medvegja në vitin 1878 Luftërat Ballkanike shënojnë përfshirjen e Preshevës dhe Bujanocit brenda shtetit serb.

Që nga ai moment, politika ndaj shqiptarëve nuk ishte as spontane dhe as e rastësishme – ajo ishte politikë shtetërore, e ligjshme në letër, por e dhunshme në realitet. Kjo politikë u manifestua përmes: • konfiskimit të tokave, • shpërnguljeve selektive, • kolonizimit të organizuar, • serbizimit të detyruar në arsim, administratë dhe identitet. Në dokumentet e kohës nuk fshihet aspak qëllimi i politikës shtetërore dhe i programit kombëtar serb për serbizimin e trojeve etnike shqiptare dhe ndryshimin e përbërjes së tyre etnike. Shqiptarët e krishterë – “material i gatshëm për serbizim” Një dimension edhe më i ndjeshëm i këtij procesi është trajtimi i shqiptarëve të krishterë. Ndryshe nga shqiptarët myslimanë, për shtetin serb ata konsideroheshin “më të përpunueshëm”. Përkatësia e tyre fetare u keqpërdor si mjet për ndryshimin e identitetit etnik.

Liturgjia kishtare, administrata shtetërore dhe regjistrimi civil, së bashku, krijuan një kategori të re artificiale: shqiptarë nga prejardhja, por serbë nga identiteti shtetëror. Këtë e pranon hapur edhe Jovan Hadži-Vasiljević, kronikani i njohur serb i këtyre viseve. Në veprat e tij “Južna Srbija” dhe “Preševo, Bujanovac i Vranje”, ai regjistron dhjetëra familje me origjinë shqiptare, të cilat tashmë deklarohen si “serbe”. Ai i evidenton këto raste shpesh me një lloj krenarie, sepse për shtetin serb kjo përbënte një fitore të qetë: pa luftë, por me një transformim të thellë identitar. Kolonizimi shtetëror dhe spastrimi demografik Kolonizimi i organizuar në Jugosllavinë e vjetër dhe sllavizimi i shqiptarëve në Vranjë dhe rrethinë nuk ishte rezultat i ndonjë asimilimi natyror kulturor.

Ai ishte një projekt i planifikuar shtetëror i Mbretërisë së Serbisë, më pas i Mbretërisë SKS dhe Jugosllavisë, i zbatuar përmes administratës, kishës dhe arsimit shtetëror serb. Pas vitit 1918 fillon etapa më brutale dhe më e rafinuar: kolonizimi ndërmjet dy luftërave botërore. Me ligjin për Reformën Agrare, shqiptarëve u merret toka dhe u shpërndahet kolonëve serbë, oficerëve të luftës, malazezëve, madje edhe shqiptarëve të krishterë të serbizuar, të cilët trajtoheshin si “element i besueshëm”.

Nuk është rastësi që në memorandumin famëkeq të Vasa Čubrilovićit (1937) rekomandohej hapur spastrimi i shqiptarëve nga Serbia Jugore. Kjo nuk mbeti vetëm teori: në Preshevë dhe rrethinë ajo u zbatua në praktikë. Vazhdimësia e dhunës dhe falsifikimi i historisë Presheva, pavarësisht presioneve të vazhdueshme, mbeti në shumicë kombëtarisht shqiptare. Edhe Bujanoci po ashtu. Por Vranja dhe zona përreth u transformuan rrënjësisht. Historitë familjare u fshinë, emrat u ndryshuan, identitetet u konvertuan. Dhe mbi të gjitha, u ndërtua narrativa e rreme se “këto toka kanë qenë gjithmonë serbe”. – Por arkivat flasin ndryshe. – Toponimet flasin ndryshe. – Kujtesa kolektive flet ndryshe. Madje edhe vetë historianë serbë, si Hadži-Vasiljević, e kanë dokumentuar të kundërtën.

Kolonizimi e ndërpreu vazhdimësinë natyrore historike të Preshevës. Ai nuk ishte proces “civilizues”, por operacion politik. Nuk ishte integrim, por zëvendësim. Nuk ishte zhvillim, por kontroll shtetëror shovinist. Përfundim Sot, kur diskutohet për Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Vranjën dhe qytete të tjera në Serbi që dikur ishin të banuara me shqiptarë autoktonë, kur flitet për identitetin dhe raportet etnike, duhet kujtuar një fakt i thjeshtë: ajo që shohim sot nuk është vetëm produkt i historisë natyrore, por rezultat i një politike të vetëdijshme shtetërore për kolonizim dhe serbizim.

Kolonizimi i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk është vetëm kapitull i së kaluarës! Përkundrazi, ai është çelësi për të kuptuar të tashmen dhe për të debatuar me ndershmëri për të ardhmen e kësaj pjese të Serbisë, të banuar me shqiptarë autoktonë që nga koha e Mbretërisë së Ilirisë, Perandorisë Romake, asaj Osmane, Mbretërisë SKS dhe Jugosllavisë e deri më sot. Preshevë, 11 janar 2026

Derniers articles