-1.5 C
Berne
lundi 12/01/2026

Ne “analfabetët” e diasporës

Lis Bukuroca

1.

Ne “analfabetët” e mërgatës e duam Vjosën presidente. I lutemi intelektualëve të AAK-së, LDK-së dhe PDK-së ta mbështesin. Ndoshta do të na mbështesë edhe kryeintelektuali i tyre, zoti Sali Rexha.

2.

Pa një opozitë të korruptuar deri në palcë, 51% nuk arrihet kurrë.

3.

Ne “analfabetët” e diasporës i lutemi edhe Halil Matoshit të mos na e ndalojë me automatizëm të drejtën e votës. Po ashtu, ju premtojmë se, nëse opozita e lufton korrupsionin në radhët e veta, duke u nisur nga liderët e saj, së paku gjyshërit tanë do t’i votojnë liderët e opozitës – edhe ata si ju e konsiderojnë korrupsionin bakshish dhe mirënjohje.

Me urrejtjen që po përhapni ndaj nesh, ndërkohë që tregoni shumë mirëkuptim ndaj Radojçiçit, kemi frikë se një ditë mund të na ndalohet edhe kthimi në Kosovë. Mos e bëni, ju lutem. Ne ju duam edhe kur na urreni. Edhe kur gaboni. Edhe kur nuk dini. Edhe kur besoni se dini. Edhe injorantët kanë të drejtë të ekzistojnë dhe lëvizin.

4.

Ne “analfabetët” e mërgatës e votuam Albin Kurtin sepse e dimë mirë çfarë meritoni ju. Ju e konsideroni vjedhjen e shtetit një gjë të padëmshme; ne e shohim si qëndrim armiqësor ndaj atdheut.

5.

Ne “analfabetët” e diasporës do t’i burgosnim ata që ju i konsideroni shenjtorë. Sepse ne me atë pak dije që kemi, jemi të bindur se një njeri është i mirë vetëm për aq kohë sa bën mirë; prej çastit kur bën keq, ai nuk është më i mirë. Sidomos kur dëmton atdheun.

6.

Ne, që nuk dimë shkrim-lexim, u ndalojmë fëmijëve tanë të shikojnë debatet tuaja televizive, sepse ato u japin dy mesazhe të rrezikshme: se një njeri me fakultet të mbaruar mund të jetë pa kulturë dhe pa edukatë, dhe se ky është standardi i pranueshëm. Kemi frikë se po i dëmtoni jo vetëm fëmijët tanë, por edhe botëkuptimin e tyre për drejtësinë, dijen dhe përgjegjësinë qytetare.

7.

Ne, “analfabetët” e mërgatës, që kemi në radhët tona disa futbollistë dhe këngëtarë që i njeh bota, ju lutemi të pranoni injorancën tonë – edhe të Mira Muratit, edhe të Lea Ypit – ashtu si ne e kuptojmë besimin tuaj se dini tepër shumë.

8.

Ne nuk do të votojmë kurrë ata që dëmtojnë shtetin, sepse jemi të bindur – ndoshta si pasojë e injorancës sonë – se ai që dëmton Kosovën, në të vërtetë ndihmon Serbinë.

9.

Ne “analfabetët” e diasporës u lutemi shkollave fillore t’ua anulojnë dëftesat disa analistëve dhe gazetarëve që në televizion flasin çobanisht. Nëse kjo nuk është e mundur, së paku fakultetet t’ua anulojnë ato poçavër-diploma. Nëse i kanë blerë, shitësi t’i njihet statusi i veteranit…

10.

Ne “analfabetët” e diasporës kemi investuar për shtet modern shqiptar, jo për një tallava-shtet. Le ta kuptojnë këtë njëherë e mirë „intelektualët“ e opozitës dhe militantët e tyre.

11.

Dhe në fund, të dashur bashkatdhetarë, ne kemi vetëm një dallim kulturor mes nesh: ne besojmë se dimë shumë pak, ju besoni se dini tepër shumë. Ne përpiqemi vazhdimisht të mësojmë diçka, sepse jemi “analfabetë”; ju besoni se dini tepër shumë dhe keni harruar edhe atë që keni mësuar dikur.

Derniers articles