11.5 C
Berne
jeudi 2/10/2025

Izraelitët, protestë në mbarë vendin, kërkojnë fundin e luftës në Gaza. Por, protesta u nderpre ne 16:00 kur sirenat e alarmit ranë në Tel Aviv, duke paralajmëruar një raketë të lëshuar nga Jemeni

Mijëra izraelitë morën pjesë këtë të diel në një grevë kombëtare në mbështetje të familjeve të pengjeve që mbahen në Gaza, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të arrijë një marrëveshje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës dhe për të liruar pengjet e mbetura.

Protestuesit valëvitën flamuj izraelitë dhe mbanin fotografi të pengjeve, ndërsa bilbilat, boritë dhe daullet kumbonin në tubime në gjithë vendin. Disa prej tyre bllokuan rrugë dhe autostrada, përfshirë edhe aksin kryesor mes Jerusalemit dhe Tel Avivit.

“Sot gjithçka ndalet për të kujtuar vlerën më të lartë: shenjtërinë e jetës,” tha për gazetarët Anat Angrest, nëna e pengut Matan Angrest, në një shesh publik në Tel Aviv.

Në mesin e atyre që u takuan me familjet e pengjeve në Tel Aviv ishte edhe aktorja e njohur izraelite e Hollivudit, Gal Gadot, e famshme për rolin e saj si Wonder Woman dhe në serinë Fast & Furious.

Disa biznese dhe institucione kishin njoftuar paraprakisht se do t’u lejonin punonjësve të merrnin pjesë në grevë. Ndërsa një pjesë e tyre u mbyllën, shumë të tjera mbetën të hapura, pasi e diela është ditë pune në Izrael. Shkollat nuk u prekën pasi ndodhen në pushimet verore.

Policia izraelite njoftoi se deri në orën 14:00 kishte ndaluar 38 protestues. Disa prej tyre u përleshën me policinë gjatë bllokimit të rrugëve dhe u larguan me forcë nga oficerët. Tubimet u ndërprenë përkohësisht rreth orës 16:00 kur sirenat e alarmit ranë në Tel Aviv, Jerusalem dhe qytete të tjera, duke paralajmëruar një raketë të lëshuar nga Jemeni, e cila u interceptua pa pasoja.

Fushata ushtarake dhe reagimet politike

Netanyahu deklaroi në mbledhjen e kabinetit:

“Ata që sot kërkojnë fundin e luftës pa mposhtur Hamasin, jo vetëm që e forcojnë pozicionin e Hamasit dhe vonojnë lirimin e pengjeve tanë, por po sigurojnë që tmerri i 7 tetorit të përsëritet pa fund.”

Kryeministri tha se qeveria e tij është e vendosur të zbatojë vendimin për të marrë kontrollin e Gaza City-t, një nga zonat e fundit të mëdha që ende nuk është nën kontrollin e ushtrisë izraelite.

Ky plan është jashtëzakonisht i papëlqyer mes izraelitëve dhe familjeve të pengjeve, të cilët kanë frikë se një ofensivë e zgjeruar mund të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre. Aktualisht në Gaza mbahen 50 pengje, nga të cilët zyrtarët izraelitë besojnë se rreth 20 janë ende gjallë.

“Forumi i Familjeve të Pengjeve” tha:

“Nuk ka kohë, as për jetët që po shuhen në ferr, as për të rënët që mund të zhduken në rrënojat e Gazës.”

Pas gati dy vitesh lufte të nisur nga sulmi i Hamasit në tetor 2023, shumica e pengjeve të liruar deri më sot janë liruar nëpërmjet negociatave diplomatike. Bisedimet për një armëpushim që do të mundësonte lirimin e më shumë pengjeve dështuan në korrik. Hamas ka thënë se do të lirojë pengjet e mbetura vetëm nëse Izraeli pranon t’i japë fund luftës, ndërsa Netanyahu ka premtuar se Hamasi nuk mund të mbetet në pushtet.

Qeveria izraelite është përballur me kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit, përfshirë aleatët evropianë, pas shpalljes së planit për të marrë Gaza City-n. Hamas e quajti këtë plan kriminal, duke paralajmëruar shpërnguljen e qindra mijëra banorëve.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, më shumë se 61 mijë palestinezë janë vrarë në fushatën ushtarake izraelite, përfshirë të paktën 29 në 24 orët e fundit. Në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 u vranë rreth 1,200 izraelitë, ndërsa 251 u morën peng. Deri tani, mbi 400 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza.

Lideri i opozitës, Yair Lapid, i cili mori pjesë në një miting në Tel Aviv, shprehu mbështetje për protestuesit:

“E vetmja gjë që e forcon vendin është shpirti i mrekullueshëm i njerëzve që sot dolën nga shtëpia për solidaritetin izraelit,”

Derniers articles