4 C
Berne
dimanche 22/12/2024

Ballkani midis tensioneve dhe aspiratave – politika amerikane dhe perspektiva e dialogut Kosovë-Serbi

Shkruan: Hisen Berisha

Zhvillimet në Kosovë dhe rajon janë një pasqyrë e sfidave të një Ballkani ende të ndarë mes të kaluarës dhe të ardhmes. Situata politike dhe diplomatike në Kosovë dhe rajon po kalon një periudhë të ndjeshme, ku ndikimi i politikës amerikane dhe dinamika e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë luajnë një rol kyç. Tensionet e fundit, që përfshijnë incidentet në veri të Kosovës, përpjekjet për deeskalim dhe mosmarrëveshjet në procesin e normalizimit, reflektojnë sfidat e vazhdueshme që pengojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. SHBA mbetet aktori më i rëndësishëm ndërkombëtar në Ballkan, veçanërisht në raport me Kosovën. Përmes mbështetjes së saj historike për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, Uashingtoni ka luajtur një rol kyç në sigurimin e paqes dhe integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike.

Në vitet e fundit, administrata amerikane ka promovuar një qasje pragmatike ndaj dialogut Kosovë-Serbi, duke insistuar në domosdoshmërinë e marrëveshjes së normalizimit të plotë, e cila përfshin njohjen reciproke. Megjithatë, qëndrimi i SHBA-së është përcjellë me presion mbi të dyja palët, duke kërkuar nga Kosova që të bëjë kompromise mbi marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që ka kaluar procedurat kushtetuese të ratifikimit në kuvend, dhe nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të distancohet nga retorika nacionaliste dhe lidhjet e saj me Rusinë.

Për Kosovën, mbështetja amerikane është jetike, por presioni i shtuar mbi institucionet e Kosovës për të pranuar mekanizma që mund të cenojnë funksionalitetin e shtetit, ka krijuar tensione të brendshme dhe skepticizëm në raport me agjendën ndërkombëtare. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga proceset më të vështira politike në Ballkan. Pengesat kryesore përfshijnë situatën kur Serbia refuzon njohjen e Kosovës dhe vazhdon të përdorë retorikën e “kompromisit historik”, duke shmangur njohjen e Kosovës, ndërkohë që kërkon autonomi të zgjeruar për serbët e veriut. Ky qëndrim jo vetëm që frenon avancimin e marrëveshjes, por krijon edhe një mjedis të paqëndrueshëm në terren.

Kërkesa për krijimin e Asociacionit sipas marrëveshjeve të vitit 2023, Kurti-Vuçiq, është një pikë e nxehtë. Kosova e sheh këtë mekanizëm si një rrezik për integritetin territorial dhe funksionimin kushtetues të shtetit, ndërsa Serbia dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë e prezantojnë atë si një kusht për paqen. Roli i Serbisë si partner strategjik i Rusisë dhe Kinës komplikon përpjekjet për normalizim. Mosinteresimi i Serbisë për të distancuar veten nga këto fuqi krijon tensione të vazhdueshme dhe minon përpjekjet për integrimin e rajonit në Perëndim. Incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë përplasjet me serbët lokalë dhe sfidat ndaj autoritetit të institucioneve kosovare, tregojnë një mungesë të koordinimit dhe të vullnetit për zgjidhje afatgjata. Duhet vënë në pah edhe roli i BE-së dhe sfida e bashkërendimit ndërkombëtar, ku ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi ka qenë i karakterizuar nga mungesa e kohezionit dhe e ndikimit të mjaftueshëm mbi palët.

Ndryshe nga SHBA-ja, BE-ja shpesh perceptohet si e paqartë në qëllimet e saj, duke lejuar hapësira për Serbinë që të prolongojë procesin dhe të përfitojë nga mbështetja diplomatike e Moskës dhe Pekinit. Dyshja Borrell dhe Lajçak mbetën sinonim i dështimit diplomatik të BE-së dhe dështimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kurse Kurti dhe Vuçiq janë përfituesit e këtij procesi në dëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare. Megjithatë, integrimi evropian i Kosovës dhe Serbisë mbetet një objektiv strategjik, dhe një marrëveshje e qëndrueshme është kusht për avancimin e të dyja vendeve drejt BE-së. Kosova duhet të vazhdojë ta intensifikojë rolin e vet në rajon duke ofruar perspektivat për rajonin.

Duhet të vazhdojë të konsolidojë shtetësinë e saj përmes forcimit të institucioneve demokratike, avancimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë. Rritja e bashkëpunimit me vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të ndihmojë në krijimin e një fronti të përbashkët për stabilitetin rajonal. Nëse dialogu nuk prodhon rezultate të prekshme, ekziston rreziku që tensionet në veri të krijojnë një situatë të paqëndrueshme që mund të përhapet në gjithë rajonin.

Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon angazhim të sinqertë nga të dyja palët dhe presion konstruktiv nga faktori ndërkombëtar. Politika amerikane mbetet një faktor kyç në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve, por suksesi i saj varet nga mbajtja e një balance të drejtë mes presionit dhe mbështetjes. Në këtë kontekst, Kosova duhet të ruajë pozicionin e saj strategjik dhe të insistojë në respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit të saj, ndërsa Serbia duhet të bëjë zgjedhje të qarta mes lidhjeve të saj tradicionale me Rusinë e Kinën apo BRICS dhe aspiratave evropiane, ku takon si territor të cilin e kanë uzurpuar pas dyndjeve sllave nga Karpatet. Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe konstruktive mund të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe një rajon më i integruar.

Derniers articles