Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Pas këtij vendimi, ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO’s, Driton Hyseni, ka reaguar pas avancimit të Kosovës nga anëtar vëzhgues në të asociuar në këtë organizatë.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Kryeministri Kurti: Kosova bëhet anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
Me një shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka arritur statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Ky moment historik përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke shënuar një moment të rëndësishëm në prag të 25-vjetorit të çlirimit të saj.
Vendimi i rëndësishëm u mor në Sofje, kryeqyteti që 25 vite më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s gjatë fushatës kundër Serbisë. Sot, Sofja ishte vendtakimi ku ky hap i rëndësishëm kundër fushatës së Serbisë u forcua.
Kryeministri Albin Kurti shprehu urimet e tij për të gjithë zyrtarët shtetërorë që punuan për këtë arritje dhe shprehu mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve të Republikës. Ai gjithashtu falënderoi të gjithë miqtë dhe partnerët që me votën e tyre e mbështetën avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke qëndruar gjithmonë përkrah Kosovës.
Lajmi është një dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të forcuar pozicionin e saj në komunitetin ndërkombëtar dhe për të forcuar lidhjet e saj me NATO-n.
Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.
Në njoftimin e Parlamentit serb është thënë se dhënia e një statusi i tillë do të jetë shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.
Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s?
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.
Kosova dhe NATO-ja
Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e bazës së përhershme të forcave amerikane janë nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.
NATO-ja nuk e ka komentuar këtë kërkesë të Kosovës, por ka siguruar se misioni i saj paqeruajtës në vend, KFOR, “mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”.
Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.
Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.