Hilmi Halilaj është poet i ndjenjave të thjeshta dhe i shpirtit të ndjeshëm!
Nga Safet Sadiku
Hilmi Halilaj, një poet nga Tirana shumë aktiv dhe i pranishëm në media, vjen me një zë të butë e të lirshëm, i përkushtuar ndaj temave që kanë ushqyer shpirtin njerëzor ndër shekuj: dashuria, bukuria natyrore dhe respekti për qenien njerëzore. Poezia e tij « Një manushaqe e vogël » është një shembull i përfaqësueshëm i këtij vështrimi poetik të përzemërt dhe të sinqertë. Poema fillon me një imazh të qetë e romantik: « Nën hënën e muzgut, dhe qiellit të përskuqur », që sjell menjëherë një atmosferë të përndritur, gati ëndërrimtare, ku ndjenja e dashurisë përputhet me dritën.
Kjo ndjesi e harmonisë mes natyrës dhe emocioneve njerëzore, është një element kyç i frymëzimit romantik, që Halilaj e përqafon me natyrshmëri. Figura e manushaqes së vogël është qendra simbolike e poezisë. E vendosur mes ferrave, ajo përfaqëson pastërtinë dhe delikatesën që mbijeton në vështirësi, një metaforë klasike për bukurinë e thjeshtë që nuk humbet dinjitetin e saj, sado e rrethuar nga e vrazhda. Poezia nuk është vetëm një hymn për natyrën apo një imazh lirik, por një afirmim i fuqishëm i rezistencës së brendshme, sidomos të bukurisë që nuk bërtet, por « qëndron krenare, si një dritë e heshtur ».
Gjuha e Halilajt është e thjeshtë, e ndjeshme dhe e përshkuar nga një ndjenjë e thellë sinqeriteti. Ai shmang fjalorin e stërholluar ose figurat shumë të sofistikuara, duke preferuar imazhe që janë të qarta, prekëse dhe me një fuqi universale emocionale. Përdorimi i fjalëve si « pëshpëritje », « ninullat », « esmeraldi », sjell në tekst një atmosferë të butë, si një këngë e lehtë që i drejtohet shpirtit më shumë se mendjes. Edhe në poezinë « Një shpirt i ndriçuar » autori rrëfen për mirësitë shpirtërore. Kjo poezi e Hilmi Halilajt përfaqëson një reflektim të qetë dhe të përulët mbi vdekjen dhe kuptimin e jetës. Ajo dallon për nga toni meditiv dhe për thellësinë shpirtërore, ku figura e njeriut që nuk ka frikë nga vdekja kthehet në simbol të një shpirti të pajtuar me ekzistencën.
Stili është minimalist, me vargje të shkurtra dhe të ndërprera, që i japin poemës një ritëm të ngadaltë, gati ceremonial. « Shpirti i ndriçuar » nuk kërkon pavdekësinë, por lë pas një trashëgimi morale bashkë me nderimin e veprave të jetës. Kjo e bën poezinë një himn të heshtur për vlerat, jo për lavdinë. Përmes një gjuhe të thjeshtë dhe të sinqertë, Halilaj arrin të përçojë një mesazh të fuqishëm për përulësinë, kujtesën dhe ndriçimin e brendshëm, duke e bërë këtë poezi një meditim të ndjerë për dinjitetin njerëzor.
Megjithatë, në disa raste, poezia e këtij autori rrezikon të bjerë në një ndjeshmëri të tepërt, e cila mund të duket pak jo vetëm melankolike, por « edhe e vrazhdë » nëse nuk e sheh me syrin e një lexuesi të përgatitur për këtë lloj ndjeshmërie. Por kjo nuk është një dobësi domethënëse, është më shumë një tipar stilistik i poetit që nuk kërkon të impresionojë me kompleksitet, por të prekë ose të arrinë thirrjen artistike me pastërti. Në një kohë kur një pjesë e poezisë moderne në Shqipëri kërkon shpesh dekonstruktimin e gjuhës ose forma eksperimentale, Hilmi Halilaj qëndron si një zë i natyrshëm dhe i përulur, që i flet zemrës dhe kujtesës emocionale të lexuesit.
Poezitë e tij i ngjajnë një bisede të qetë me shpirtin, ku fjalët nuk kërkojnë të provojnë asgjë, veçse të ndajnë ndjenjën. Në këtë kontekst, Hilmi Halilaj është një zë që meriton vëmendje për thjeshtësinë elegante, për dashurinë e thellë për jetën dhe njeriun, si dhe për respektin ndaj natyrës si pasqyrë e brendshme e ndjenjave njerëzore.