-0 C
Berne
lundi 23/12/2024

Në Serbi, Një Shkronjë Shqiptari Peshon mbi 500 Din, por Një Shqiptar i Pa Mbrojtur Peshon 30 Ditë Burg?!

Kodi Penal i Republikës së Serbisë, Neni 317, Nxitja e urrejtjes dhe intolerancës nacionale, racore dhe fetare, alinea 1 – Kushdo që shkakton ose nxit urrejtje nacionale, racore ose fetare ose intolerancë midis popujve ose bashkësive etnike që jetojnë në Serbi, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Solidarizohem me Sabitin

Kjo ishte njëri nga akuzat që kisha depunuar kundër zëvendëskryeministrit të Republikës së Serbisë dhe kryetarit të “Lëvizjes Socialiste” më 29 gusht 2019, për qasjen diskriminuese dhe nxitjen e urrejtjes e intolerancës nacionale përmes përdorimit të termit “Šiptar” në mediat me frekuenca nacionale në mënyrë të vazhdueshme.

Edhe pse ishin tre raste të ngjashme të fituara nga organizatat joqeveritare kundër gazetave të shtypura, dhe pavarësisht direktivave të Komisarit për Barazi që e kishin vlerësuar se termi “Šiptar” është ofendues dhe synon përçmimin e komunitetit shqiptar, si dhe direktivave të Bashkimit Evropian, Gjykata e Lartë në Beograd, pas më shumë se tri vite gjykim e përballje argumentesh, nuk pati guxim të merrte vendim në përputhje me ligjin dhe praktikat gjyqësore kur bëhej fjalë për një ministër i cili më vonë u bë edhe shef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA).

Në mbështetje të Kodit Penal të Republikës së Serbisë, Neni 317, alinea 1, Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë përcakton paraburgim 30-ditor për Sabit Latifin në ditën kur mbahej protesta në Sheshin “Skënderbej” në Bujanoc për “Identitet dhe Dinjitet”.

Ai akuzohet se më 8 gusht, në tekstin “Studentët thërrasin në protestë të shqiptarëve në Bujanoc”, kishte shkruar komentin: „Samo pishtolj ucka reshava problem u bujanovcu kakvi protesti kakvi bakraci“.

Për 68 shkronja të shtypura nga testuara e kompjuterit si koment 30 ditë paraburgim. Mund të dënohet deri në 5 vjet burg. Sepse, për t’u dënuar, duhesh të jesh një shqiptar i zakonshëm dhe i pa zë, i mbështjellë nga shtypja dhe pamundësia për të pasur jetë normale, dhe jo një ministër “lunatik” i Vuçiqit.

Secila shkronjë e shkruar nga Sabiti peshon diku rreth 500 Din, kur llogaritet se një ditë burg vlerësohet diku mbi 1000 Din, pra 68 shkronjat e tij kushtojnë mbi 30 mijë Din.

Kjo ishte hera e parë në Bujanoc që dikush arrestohet dhe i shqiptohet masa e paraburgimit për një koment në Facebook. Aq më tepër, unë personalisht njoh shumë politikanë, biznesmenë e gazetarë që kanë kërkuar mbrojtjen e organeve të rendit për etiketimin, linçimin dhe gjykimin publik që i është bërë në faqet e Facebook-ut, portaleve dhe rrjeteve të tjera elektronike.

Për shembull: në rrjetin “X”, jam kërcënuar se do të “më rrjepnin lëkurën” për shkak se kisha paditur ministrin e Vuçiqit, i cili rast ishte raportuar në prokurori, por sipas prokurorit “nuk i përndjekin rastet në internet”.

Rasti i Sabit Latifit kujton Jugosllavinë e viteve ’90. Kur delikti gjuhësor i referohej përdorimit të gjuhës që ishte në kundërshtim me politikën zyrtare të shtetit, e cila ishte veçanërisht e theksuar gjatë periudhës së tensioneve nacionaliste dhe luftës.

Dënimet për “delikte” të tilla ishin pjesë e masave represive ndaj pjesëtarëve të pakicave, por edhe ndaj kujtdo që kundërshtonte politikën zyrtare ose mbështeste autonominë në përdorimin e gjuhës.

Rregullimet ligjore dhe masat represive kishin për qëllim shtypjen e diversitetit etnik dhe gjuhësor në favor të homogjenizimit përgjatë vijave etnike, gjë që nxiti më tej luftërat dhe pakënaqësinë midis popujve të Jugosllavisë.

Më 12 gusht 2024, ndodhi me Sabit Latifin ajo që ndodhte gjatë viteve ’90 me deliktin gjuhësor. Prokurori mund të kishte shqiptuar masa të tjera. Por jo. Vendosi të arrestojë një shqiptar të pa mbrojtur dhe të dërmuar nga një sistem që i ka pamundësuar të jetë i barabartë dhe i lirë.

A është Sabit Latifi vetëm viktima e parë në një paralajmërim për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Kujdes, tashmë janë shfaqur parulla si “Smrt Šiptarima” (Vdekje shqiptarëve) në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc.

Ftoj që të gjithë të solidarizohen me Sabit Latifin.

Ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë ndaj kësaj qasjeje ksenofobike dhe fashiste.

Derniers articles