Izraeli ka nisur sulme ndaj Iranit në orët e para të kësaj të premteje (13.06.2025). Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se Izraeli pasi nisi një sulm “parandalues” ndaj Iranit, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Izrael.
“Pas sulmit parandalues të Shtetit të Izraelit kundër Iranit, pritet një sulm me raketa dhe dronë kundër Shtetit të Izraelit dhe popullsisë së tij civile në të ardhmen e afërt.
Prandaj, dhe në përputhje me autoritetin e tij sipas Ligjit të Mbrojtjes Civile, Ministri i Mbrojtjes Israel Katz ka nënshkruar një urdhër të posaçëm, sipas të cilit do të vendoset një gjendje e jashtëzakonshme në frontin e brendshëm në të gjithë Shtetin e Izraelit.
Ju duhet t’u bindeni udhëzimeve të Komandës së Frontit të Brendshëm dhe autoriteteve dhe të qëndroni në zonat e mbrojtura”.
IAEA konfirmon se sulmi izraelit goditi një objekt bërthamor
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi se sulmi izraelit goditi impiantin e pasurimit të uraniumit të Iranit në Natanz.
Në një deklaratë në platformën sociale X, kreu i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi, u citua të ketë thënë: “IAEA po monitoron nga afër situatën thellësisht shqetësuese në Iran. Agjencia është në kontakt me autoritetet iraniane në lidhje me nivelet e rrezatimit. Ne jemi gjithashtu në kontakt me inspektorët tanë në vend.”
Sulmet e Izraelit kundër Iranit, reagon Turqia: Ky është një agresion barbar, nuk ka justifikim…
Nënkryetari dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet në Turqi Omer Celik, e dënoi ashpër sulmin e Izraelit ndaj Iranit, duke e quajtur atë një “sulm të paligjshëm” pa legjitimitet apo justifikim.
“Ne e dënojmë këtë sulm të paligjshëm me fjalët më të ashpra. Sulmi izraelit nuk mund të ketë legjitimitet apo justifikim. Ky është agresion barbar”, tha Celik në një postim në rrjetet sociale .
Celik deklaroi se Izraeli i ka shtuar edhe një tjetër “sulmeve të tij të egra dhe barbare që i vënë flakën të gjithë rajonit”.
Ai theksoi se bota duhet t’i kushtojë vëmendje paralajmërimeve të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në lidhje me pasojat e veprimeve të qeverisë Netanyahu duke deklaruar: “E gjithë bota duhet t’i kushtojë vëmendje paralajmërimeve të Presidentit tonë në lidhje me pasojat e veprimeve gjenocidale të qeverisë Netanyahu”.
Sulmet thuhet se vranë gjithashtu Gjeneralin Gholam-Ali Rashid dhe dy shkencëtarë bërthamorë, Mohammad Tehranchi dhe Fereydoon Abbasi. Televizioni shtetëror iranian raportoi se të paktën 50 persona të plagosur, përfshirë 35 gra dhe fëmijë, u transferuan në Spitalin Chamran në Teheran./ Turkey Today