13.3 C
Berne
mardi 24/02/2026

Ne Stamboll u mbajt një Konferencë Ekonomike, ku morën pjesë mbi 500 biznesmenë, afaristë dhe diplomat nga Ballkani dhe diaspora shqiptare.

Stamboll, 1 shkurt (Nefail Maliqi)Dje në Stamboll u mbajt Konferenca Ekonomike/B2B, e cila grumbulloi përfaqësues të bizneseve shqiptare, si dhe shumë personalitete nga Turqia, Ballkani dhe diaspora. Pjesëmarrësit diskutuan mbi përvojat, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimeve të reja në investime dhe zhvillim ekonomik.

Forumi Ekonomik u organizua nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare në Turqi, njofton gazeta zvicerane në shqip, LeCanton27.ch.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte të forconte bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe të përfshinte diasporën shqiptare si një aktor kyç në zhvillimin ekonomik të rajonit. Diskutimet u fokusuan tek investimet strategjike, projektet infrastrukturore, mundësitë për start-up dhe inovacion, si dhe ndërtimi i rrjeteve të kontakteve mes politikanëve, afaristëve dhe diplomatëve.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi barriera ligjore dhe fiskale për investimet ndërkombëtare dhe mbi mënyrat për të përdorur potencialin e diasporës në hapjen e tregjeve të reja. Konferenca u vlerësua si një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Ballkanit dhe për forcimin e rolit ndërkombëtar të shqiptarëve.

Fillimisht, duke i përshëndetur mysafirët, kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Turqi, z. Muhammed Şerif, theksoi se:

« Qëllimi i këtij tubimi është forcimi i bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare në Ballkan dhe diasporë. »

Mysafirëve iu drejtua edhe z. Omer Nura, kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të komunitetit biznesor shqiptar.

Z. Muhammed Şerif për gazetën zvicerane LeCanton27.ch deklaroi:

« Në Forumin Ekonomik në Stamboll u mblodhën mbi 300 biznesmenë shqiptarë nga Turqia, Ballkani dhe diaspora jonë, të cilët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe investuar në vendlindje, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rajonit. »

Gjatë konferencës u prezentuan një seri projektesh, u zhvilluan takime dhe sesione të ndryshme nga përfaqësues të bizneseve nga trojet shqiptare, duke përfshirë Turqinë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, si dhe diasporën.

Konferenca krijoi një platformë të vlefshme për takime B2B, shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve shqiptare dhe turke.

Ndersa për Omer Nuren, kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, ai deklaroi se:

« Ky rrjet tashmë është bërë një urë lidhëse midis biznesmenëve tanë në Ballkan dhe vendeve të tjera botërore. Nuk është as i pari e as i fundit. Takimet e tilla tashmë janë bërë tradicionale dhe do të vazhdojnë edhe në vendet e tjera evropiane dhe botërore, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit dhe rritjes së eksporteve të prodhimeve vendore në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Pas këtij tubimi në Stamboll, në shkurt do të jemi në Zvicër, në mars në Australi, në prill në Vienë, dhe kështu me radhë. »

Në konferencën e Stambollit, përveç biznesmenëve dhe ekspertëve të ekonomisë, morën pjesë edhe afaristë të shumtë, diplomatë, politikanë dhe përfaqësues nga shtetet shqiptare: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nga Tirana ishte konsuli i përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, z. Armand Shandro, ndërsa nga Prishtina mori pjesë Merita Maliqi, e cila theksoi:

« Turqia është një partner shumë i fuqishëm për Kosovën në sferën ekonomike dhe tregtare. »

Gjithashtu, morën pjesë figura të njohura si Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të RMV-së, dhe Talat Xhaferi, ish-kryeparlamentar i RMV-së.

Z. Shandro, konsuli i përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, shtoi:

« Shembujt e suksesit të shtetasve me origjinë shqiptare në Turqi janë të shumtë. Mes nesh sot kemi shumë prej tyre, por dua të përmend një prej tyre — biznesmenin dhe mbështetësin e vazhdueshëm të komunitetit, z. Naser Alim, i cili përfaqëson më së miri frymën e bashkëpunimit dhe suksesit që ky rrjet synon të ndërtojë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë të thella, të qëndrueshme dhe të ndërtuara ndër vite, duke kaluar tashmë në nivelin e partneritetit strategjik, i cili shtrihet natyrshëm edhe në sektorin ekonomik dhe tregtar. »

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, theksoi se kjo konferencë përbën një platformë të vlefshme për krijimin e partneriteteve të reja dhe lidhjen e aktorëve ekonomikë nga të dy vendet. Ai përgëzoi Rrjetin Global të Bizneseve Shqiptare në Turqi për këtë iniciativë të vlefshme, e cila nxit projekte të reja dhe krijon ura që lidhin njerëz, tregje dhe shtete.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe Zv. Drejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, z. Mustafa Dauti, Konsulli i Nderit, z. Halil Bedzeti, Muhamed Alimi si koordinator nga rrjeti i biznesmenëve të Luginës së Preshevës, si dhe shumë të tjerë.

Shumë referues në këtë forum ekonomik në Stamboll theksuan se takimet e tilla mes biznesmenëve janë të dobishme dhe thelbësore për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit, nxitjen e investimeve dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Konferenca, e cila u konsiderua një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin mes biznesit shqiptar dhe turk, u organizua nga kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Turqi, z. Muhammed Şerif, të cilit i shprehën falënderime për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e suksesshëm.

 

Derniers articles