Donika Berishaj është autore e re, nga Tuzi, me një formim akademik në Gjuhë Angleze dhe Letërsi pranë Universitetit Mediteran të Malit të Zi. Përveç përvojës në fushën e marketingut dhe komunikimit, ajo ushtron profesionin e mësimdhënies duke ndarë pasionin për gjuhët e huaja me gjeneratat e reja. E angazhuar edhe në shkrim krijues, Berishaj ka botuar poezi dhe artikuj, duke ndërthurur përvojën profesionale me ndjeshmërinë artistike. Si më poshte po japim tri poezi nga Malësia e Tuzit, rrespektivisht nga Donika Berishaj, shkruan gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Para pasqyrës
Para pasqyrës rri, shikoj, veten shpesh gjykoj,
Të jesh femër, s’është e lehtë.
Holloju, shto pak peshë,
Preji flokët, leji të gjata,
Ji më natyrale,
Mos ia tepro me makiazh.
Sillu më bukur!
Mos qesh aq të madhe!
Ule pak tonin!
Buzëqesh më shumë!
E mirë je ti, po ka dhe më mirë…
S’është krejt te bukuria,
Po ajo i ka këmbët më të gjata,
Hunden më të vogël,
Belin më të hollë.
Dhe vetullat… pastroji pak.
Buzëkuqi i kuq të rri më mirë.
Jo… më pëlqen kur je vetvetja.
Po i humbe dhe ca kilogram,
Po veshe diçka tjetër,
Po të ishe më natyrale,
Po të kishe flokët kaçurrela.
Po të mos ishe ajo që je,
Po të ishe një femër,
Si t’urdhërojnë të tjerët.
A lind pranvera, kur në mua vjeshta zotëron
A lind pranvera, kur në mua vjeshta zotëron?
Ku t’i gjej bulëzat, kur gjethi i thatë me mua vallëzon?
Dua ta vesh fustanin, të kërcej në fusha e ara,
Por lulet s’i gjej dot, vetëm pemë të thara.
Shi, breshër, erë – gjithandej,
Por kërpudhat që mbijnë pas tyre, s’i gjej.
Thua “pranverë”, ditët më të gjata,
Por ende endet shpirti, ku e zymtë është nata.
Pranvera iku…
Pranverën ku ma le?
Apo me ty, gjithë stinët askush s’i gje?
Zogjtë te të tjerët këndojnë, cicërojnë,
E mua britmat e qyqes natën më zgjojnë.
Do të shndërrohem në pranverë,
Të shndris, të lulëzoj.
Te të tjerat pranverën kot e kërkon,
Përderisa unë frymoj.
Nëpër rrugët e këtij qyteti të zymtë
Nëpër rrugët e këtij qyteti të zymtë,
dy të dashuruar lëshojnë duart,
ndërsa dy të tjerë përqafohen për herë të parë.
Një fëmijë i lutet nënës ta ngrejë lart në krahë,
kurse një tjetër shëtit qenin me një dashuri të çiltër.
Nëpër rrugët e qytetit, të hasa edhe ty,
si padashur… por me qëllim.
E di ende ku ndalesh,
si mban cigaren mes gishtave,
si i pëshpërit shiut në ecje,
si e përqafon vetminë.
Në zebren e këmbësorëve, një shikim na lidh për një çast,
ti vazhdon, i lirë si era,
kurse unë mbetem pas, e zymtë, në këtë qytet.