27.1 C
Berne
samedi 21/06/2025

Shoqëria LËVIZJA në Zvicer  shënoi 35 vjetorin e demonstratës dyjavore të organizuar ne Gjenevë, para OKB-së

Gjenevë, 3 qershor -Përmes një akademie solemne në Gjenevë, Shoqëria LËVIZJA në Zvicer  shënoi 35 vjetorin e demonstratës dyjavore të organizuar nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës në Gjenevë, nga 19 Maj deri më 2 Qershor 1990. Fjalën e mbajtur me këtë rast po e ndaj me ju.
Të nderuar pjestarë të familjeve të dëshmorëve
Të dashur bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë,
Të nderuar të pranishëm
Kombi ynë edhe në fillim të shekullit XX, vazhdoi të ketë fatin tragjik. Në rrethana dramatike për shqiptarët, u shpall krijimi i shtetit të pavaruar shqiptar, por 2/3 e territoreve dhe të popullit shqiptar u okupuan nga fqinjët ballkanik dhe pas Konferencës së Londrës më 1913, ngelen të pushtuara. Pjesa më e madhe e tyre nga Serbia.
Shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me pushtimin dhe kurrë nuk rreshtën së luftuari për çlirim e bashkim kombëtar.
Pavarësisht ndërrimeve të regjimeve dhe të sistemeve në Serbi përkatësisht Jugosllavi, pozita e shqiptarëve nuk ndryshonte.
Ata mbaheshin në gjendje të okupuar, të diskriminuar, të shtypur, të dëbuar e të eksploatuar skjashmërisht, të privuar nga çdo e drejtë politike, kulturore, ekonomike e sociale.
Në mënyrë sistematike pushtuesit serbojugosllav u orvatën përmes krimit të gjenocidit të shkatërrojnë shqiptarët si të tillë dhe të zhbëjnë qenien shqiptare nga tokat e tyre të pushtuara.
Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, fillon një periudhë intensive e organizimit të rezistencës dhe luftës për liri.
Krahas rritjes së rezistencës shtohej edhe represioni dhe përndjekjet e veprimtarëve dhe idealistëve të cilët pushtuesit nuk mund t’i ndalnin nga rruga e lirisë.
Vrasjet, burgosjet, dëbimet dhe ndjekjet e vazhdueshme të bartësve të rezistencës vetëm çka e shtonin motivin e tyre për të vazhduar luftën dhe për të forcuar besimin në fitore.
Si rezultat i përndjekjeve politike dhe diskriminimit ekonomik një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve ishin detyruar të largohen nga atdheu dhe të gjejnë strehë e paqe sociale në vendet e Evropës Perendimore.
Pjesa e tërsisë sonë kombëtare që jetonte dhe punonte në mërgim, menjëherë pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, nën drejtimin e heronjëve Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të tyre, në Zvicer, Gjermani Belgjikë dhe vende të tjera të Evropës,- këtu në Gjenevë me ndihmen e veprimtarëve si; Kadri Avdullahu, Ilaz Bajrami, Gafurr Çala, Shyqëri Ukshini, Jup Ahmeti, Jakup Halimi, Hasan Kadriu etj-. filloi të organizohet dhe të bëhet pjesë përbërse e rezistencës në Kosovë dhe viset e saja.
Në këtë kohë grupet e ndryshme atdhetare që vepronin kundër pushtuesve u bashkuan dhe krijuan Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, më vonë Lëvizja Popullore pë Republikën e Kosovës gjegjësisht Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila deri në vitin 1990, ishte organizata e vetme politiko ushtarake që i kundërvihej në mënyrë të organizuar pushtuesve.
Ishte bartëse e rezistencës aktive dhe aksioneve çlirimtare në Kosovë dhe viset e saja, sikurse edhe në të gjtha vendet e Evropës perendimore ku jetonin shqiptarë.
Në fund të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kalaur regjimi serb i Millosheviqit përmes agresionit kushtetues privoi Kosovën edhe nga ajo pak autonomi politike që e kishte.
Shqiptarët kudo që ishin reaguan masovikisht.
Në Kosovë dhe në viset të okupuara shqiptare gjatë gjithë viti 1989 e deri në Qershor 1990, pati protesta dhe demonstrata masive kundër pushtuesve.
Serbia përmes dhunës e terrorit mizor pëpiqej të ndalonte protestat. Nga Marsi i vitit 1989 deri në Mars të vitit 1990 në Kosovë, policia pushtuese serbe vrau 63 demonstrues dhe plagosi qindra të tjerë. Kishte edhe rezistencë të armatosur që ishin shkëdijat e para të luftës çlirimare, si në Podujevë në maj 1989 kur vritet Ali Ajeti, apo Kodër të Diellit në Prishtinë, kur më 2 Nëntor 1989, në përleshje të armatosur me policinë pushtuese u vranë drejtues të lartë të LPRK-së heronjët Afrim Zhitija dhe Fahri Fazliu.
Në muajin Mars 1990, serbia masovikisht përdori helme kimike të luftës kundër nxënësve të rinjë, në shumë shkolla fillore të Kosovës, nga të cilat u helmuan mbi 3500 nxënës.
Gjatë kësaj periudhe edhe në vendet e ndryshme të Evropës u organizuan protesta dhe demonstrata që reflektonin gjendjen në Kosovë dhe kishin për qëllim të tërheqin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për mizoritë që i përdorte pushtuesi kundër demonstruesve paqësorë shqiptarë.
Pati dhjetra demonstrata të organizuara në Londër, Paris, qytete të ndryshme në Gjermani e Zvicër, në Vjenë, Romë, në vendet skandinave, në SHBA madje demonstrata nga mërgata shqiptare u organizuan edhe në Australi.
Për të thelluar sensibilizimin opinionit, të institucioneve ndërkombëtare dhe për të denoncuar terrorin shtetror serb kundër popullit të okupuar shqiptarë, LPK vendosi të orgaizojë demonstratë të pandërprerë për dy javë rresht, para selisë së OKB në Gjenevë. Demonstrata dy javore filloi më 19 Maj dhe zgjati deri më 2 Qershor të vitit 1990. Në ditën e parë rreth 10 mijë bashkatdhetarë u tubuan në stacionin e trenit dhe nga aty marshuan drejt selisë së OKB-së në Gjenevë, ku qëndruan për dy javë mijëra shqiptarë. Për dy javë qytetin ndërkombëtar të Gjenevës e kanë dominuar shqiptarët, i tërë qyteti ishte i veshur me ngjyrat e flamurit tonë kombëtarë. Ishte kjo një demonstratë e paparë deri më atëherë në Zvicër.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve zvicerane për dy javë në këto demonstrata kanë marrë pjesë mbi 200 mijë shqiptarë nga të gjtha shtetet e Evropës perendimore. Vetëm ditën e fundit më 2 Qershor 1990, është thënë dhe shkurar se në demonstratë kanë marrë pjesë rrth 70 mijë shqiptarë.
Demonstrata e organizuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, është mbështetur nga të gjtha degët e partive politike që filluan të krijohen gjatë vitit 1990, si dhe nga shumica e shoqatave kulturore aktive që funskiononin në Zvicër dhe vendet e tjera të Evropës Perendimore…
Demonstrata dyjavore në Gjenevë sensibilizoi opinion ndërkombëtar dhe u pasqyrua në shumë mjete të informimit masiv të shkruar dhe elektronik jo vetëm në Zvicër por në të gjitha vendet e Evropës Perendimore.
Nga institucionet ndërkombëtare kërkohej që të krijohet një komision hetues ndërkombëtarë, të hetojnë dhe të denojnë gjenocidin serb kundër shqiptarëve, si dhe të ndikojnë që çështja shqiptarëve nën Jugosllavi të zgjidhet drejt, si kusht i domosdoshëm për ruajtjen e paqes në Ballkan.
Kjo demonstratë ishte motivim për të shtuar rezistencën në Kosovë dhe viset e saja. Nga Kosova u dërgua në Gjenevë veprimtari Ramiz Lladrovci për të dhënë mesazhin se bashkatdhetarët janë pjesë e pandashme e luftës sonë dhe me aksionet e tyre i motivojnë veprimatrët dhe radhët e LPRK-së, në Kosovë për të vazhduar rezistencën dhe luftën për liri.
Insistimeve dhe përpjekjeve të popullit tonë, që përmes formave dhe protestave paqësore të realizojmë idealet tona të lirisë, çlirimit e demokracisë, regjimi pushtues serb i përgjigjej me dhunë e terror. Kjo formë domosdoshmërisht imponoi që edhe ne të ngrisim shkallën e organizimit, të shkojmë drejt krijimit të struktuarave ushtarake dhe përmes kryengritjes së armatosur të realizojmë synimet tona.
Si rezultat i përpjekjeve dhe angazhimit të pandërprerë antipushtues vjen krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila, me përkrahjen e popullit, me mbështetjen e parezervë të mërgatës dhe me ndihmën e aleatëve të NATO-s, arriti ta çlirojë Kosovën dhe të hapë një kapitull të ri për vendin tonë : kapitullin e lirisë, demokracisë dhe të shtetndërtimit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sikurse demonstratat në Gjenevë ashtu edhe demonstratat e shqiptarëve gjithandej globit, nuk ishin ngjarje të izoluara. Ato ishin pjesë e një zinxhiri të rezistencës dhe luftes sonë, që e lidhnin mërgatën me vendlindjen, dhe që i jepnin zë vuajtjes dhe shpresës së popullit tonë për çlirim e bashkimit kombëtar.
Sot, 35 vjet më vonë, përulemi me nderim para të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka për idealin e shenjtë të lirisë. Kujtojmë me respekt dëshmorët e vitit 1989–1990, dhe mijëra dëshmorë të tjerë që u flijuan në luftë për liri. Kujtojmë me krenari ata që protestuan, organizuan, luftuan dhe e ndërtuan këtë të sotme.
Detyra jonë sot është ta ruajmë këtë trashëgimi me kujdes, ta kultivojmë unitetin dhe të vazhdojmë përpjekjet për të ndërtuar Kosovën shtet të fortë, të drejtë, të zhvilluar, të bashkuar dhe të integruar në familjen e popujve evropianë.
Lavdi dëshmorëve !
Nderim për ata që mbajtën gjallë idealin e lirisë !
Faleminderit !
Ramadan Avdiu, ish-Konzul në Gjenevë, njeherit veprimar i shquar i ceshtjes sone kombëtare qe nga demonstatrat e vitit 2981

Derniers articles