Zürich/Prishtinë, 8 nentor –LeCanton27.chMërgata drejt Kosovës për balotazhin e 9 nëntorit – mbi 50 aeroplanë dhe qindra autobusë nga Zvicra e Evropa Diaspora kosovare mobilizohet masivisht për të marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Nga Zvicra, Gjermania e vendet e tjera evropiane janë nisur dhjetëra fluturime dhe qindra automjete private drejt Kosovës.
Një valë e re udhëtimesh patriotike po mbërthen aeroportet dhe rrugët evropiane këto ditë. Mijëra mërgimtarë nga Zvicra, Gjermania, Austria, Franca e vendet e tjera po kthehen në Kosovë për të marrë pjesë në balotazhin e 9 nëntorit, ku do të vendoset fati i shumë komunave të vendit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet lokale janë regjistruar 56,772 votues nga diaspora, prej të cilëve 46,015 janë miratuar me të drejtë vote, ndërsa 10,062 aplikime janë shpallur të pavlefshme për shkak të pasaktësive në dokumentacion.
Vetëm në Zvicër, janë 11,024 qytetarë me të drejtë vote, dhe pikërisht këtu është vërejtur edhe mobilizimi më i madh. Në tri ditët e fundit janë realizuar mbi 16 fluturime nga Zürich, Basel dhe Gjenevë drejt Prishtinës, ndërsa nga Gjermania e vendet e tjera të Evropës janë nisur rreth 40 aeroplanë shtesë.
Krahas tyre, mijëra të tjerë kanë marrë rrugën përmes autobusëve dhe veturave private, për të arritur në kohë për votim.
Gazetarët e LeCanton27.ch kanë raportuar sot nga aeroportet e Gjenevës dhe Cyrihut, ku dhjetëra bashkatdhetarë u panë me flamuj kuqezi dhe valixhe në duar, të emocionuar për rrugëtimin drejt vendlindjes. “Jemi nisur për të vulosur fitoren në komunat tona dhe për ta festuar më pas Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin,” thanë disa prej tyre për median tonë. Në raundin e parë të zgjedhjeve të 12 tetorit, më së shumti vota nga diaspora mori Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur nga LDK, PDK dhe AAK.
Edhe në balotazhin e 9 nëntorit, pritet që mërgata të mbështesë kandidatët e Vetëvendosjes në 12 komuna të Kosovës. KQZ ka njoftuar se periudha e votimit përmes postës përfundon më 8 nëntor 2025, ndërsa votat që arrijnë pas kësaj date nuk do të pranohen. Megjithëse procedurat e regjistrimit kanë qenë më të ndërlikuara se në zgjedhjet parlamentare, interesimi i diasporës ka qenë i jashtëzakonshëm. Nga Zürich, Basel, Gjenevë, Stuttgart, München, Berlin, Memmingen e deri në qytetet më të vogla të Evropës, shqiptarët e Kosovës po dëshmojnë se lidhja me vendlindjen mbetet e gjallë — jo vetëm me zemër, por edhe me votë.

