Gjithashtu, në vendim thuhet se nuk ekzistojnë rrethana të tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe se ka prova të bazuara mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për çka edhe po akuzohen.
…nuk ka vend për hedhje të aktakuzës, ngase vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka arrit afati i parashkrimit, nuk ka rrethana të tjera që pengojnë ndjekjen penale dhe ka prova të mjaftueshme për një dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen…”, thuhet në vendimin e Apelit.
Pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë, sipas Apelit, nuk qëndrojnë pasi që këto pretendime do të vlerësohen dhe vërtetohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Gjithashtu, lidhur me pretendimet që provat materiale që gjenden në aktakuzë nuk kanë lidhshmëri me mes veprimeve të të akuzuarve, sipas Apelit, në këtë fazë nuk do të shqyrtohen pasi që tash në këtë fazë shqyrtohet vetëm ligjshmëria e nxjerrjes së provave dhe ngritjes së aktakuzës.
Pas konfirmimit të aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të caktojë seancën e shqyrtimit gjyqësor.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021, kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga Neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga Neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi