Kosova ka 1.602.515 banorë të regjistruar, sipas raportit përfundimtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se ASK-ja e ka bërë vlerësimin për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku kryesisht u bojkotua procesi.
Ai tha se ASK-ja vlerëson se Kosova ka një popullsi të përgjithshme rezidente prej 1.602.515.
Censusi i vitit 2024 tregon se struktura etnike në Kosovë mbetet pothuajse e njëjtë si në vitin 2011, me shqiptarët që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë dhe pakicat që ruajnë praninë e konsiderueshme, tha ASK-ja.
Në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon.
Aktualisht, sipas ASK-së, në diasporë janë regjistruar rreth 550.000 persona.
Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë i realizuar më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Procesi edhe në ate kohë ishte bojkotuar në masë të madhe nga serbët.
Shumica dërrmuese e banorëve janë deklaruar se i përkasin besimit islam, ndërsa komunitetet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare, sipas ASK-së.
Sipas raportit përfundimtar, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë tani është 34.84 vjeçe, krahasuar me 29.97 vjeçe në vitin 2011.
Të dhënat tregojnë se 92.8 për qind e banorëve në Kosovë kanë në pronësi banesat e tyre, ndërsa rreth 5.3 për qind jetojnë me qira.
Raporti ka gjetur një ulje prej 26.6 për qind në madhësinë e ekonomisë familjare në vitin 2024 krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011.
Tani në Kosovë numri mesatar i personave në ekonomi familjare është 4.33 për qind, krahasuar me 5.90 për qind në vitin 2011.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.