29.8 C
Berne
mercredi 25/06/2025

AGK-ja e përkrah gazetaren Iliri Pireva, e cila pas 14 vite largohet nga Klan Kosova se ishte e injoruar dhe e malltretuar nga ky televizion

Pas 14 vitesh gazetarja Iliri Pireva largohet nga Klan Kosova- “Kërkova respektim të Ligjit të Punës, u përballa me përndjekje dhe shantazh”

Gazetarja Iliri Pireva ka bërë të ditur largimin e saj nga televizioni Klan Kosova, pas 14 vitesh punë në këtë medium.

Në një postim në Facebook, Pireva ka deklaruar se arsyeja kryesore e largimit ishte mospajtimi me menaxhmentin rreth respektimit të Ligjit të Punës dhe të drejtave themelore të punëtorëve, veçanërisht lidhur me pushimet për festat zyrtare.

Sipas saj, mosrespektimi i këtyre pushimeve ishte një praktikë e vazhdueshme ndër vite, por situata ndryshoi kur një njoftim i brendshëm e kufizonte të drejtën e pushimit për një grup të caktuar punëtorësh.

Kjo, siç ka thënë ajo, nxiti reagimin e saj dhe të kolegëve, të cilët iniciuan një peticion që, ndonëse u nënshkrua nga mbi 100 punonjës, nuk u dorëzua nga askush për shkak të frikës nga ndëshkimi.

Ajo mori përgjegjësinë për ta dorëzuar vetë.

Pas kësaj, Pireva pohon se u përball me presion, përjashtim dhe masa disiplinore që i cilëson si hakmarrje ndaj angazhimit të saj për respektimin e të drejtave ligjore.

Sipas saj, masa ndëshkuese ndaj saj u justifikua me një “devijim procedural” të papërfillshëm, që nuk kishte ndikim në cilësinë e punës së saj.

Gazetarja bën të ditur se tashmë ka nisur procedura ligjore për rastin dhe se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi në institucionet përkatëse. Ajo falënderoi kolegët dhe të gjithë ata që treguan solidaritet gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, Klan Kosova nuk ka komentuar ende publikisht mbi deklaratat e gazetares Pireva.

AGK: Gazetarja Iliri Pireva, ka njoftuar se e ka dërguar në gjykatë, ish-vendin e saj të punës, Klan Kosova

Një një publikim në Facebook, Pireva ka shkruar se ajo nuk është me pjesë e këtij televizioni, pasi që ka kërkuar “një të drejtë themelore, respektimin e Ligjit të Punës”.

“Për 14 vjet si punëtore në këtë televizion, asnjëherë nuk janë respektuar pushimet për festat zyrtare, një shkelje që ka ndodhur vazhdimisht por që është toleruar. Megjithatë këtë herë, diçka ndryshoi. Në një platformë të komunikimit të brendshëm të stafit, na u tha hapur se 25 dhjetori si ditë pushimi i takon vetëm një grupi të caktuar. Dhe më ironikja ishte se kjo u shkrua në një redaksi që, çdo ditë, raporton ndaj padrejtësive dhe shkeljeve të të drejtave. Ky ishte momenti që nuk mund të kalohej më pa reagim, jo vetëm sepse ishte e padrejtë, por sepse u tha publikisht, si fakt”, ka shkruar mes tjerash Pireva.

AGK-ja e pëkrah gazetaren Pireva në betejën e saj për të kërkuar të drejtën në sistemin e drejtësisë.

AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të insistojnë në respektimin e kontratës së punës, dhe respektimin e Ligjit të Punës.

Derniers articles