Hapja e klasave të mësimit të arbërishtes në Ungra të Kalabrisë, ka bërë që përherë të parë një grup nxënësish e mësuesish të shqipes nga Zvicra nën drejtimin e Prof. Dr. Vaxhid Sejdiut të bëjnë një vizitë në 6 ngulime arbëreshe në Kalabri. Këto janë ngulimet: Çifti (Civita); Ungra (Lingro); Firmosa (Acuafirmosa); Ferma (Firmo); Shën Vasili ( San Basile) dhe Frasnita (Frascineto), Me këtë rast krahas vizitave në shkolla, sipas organizatorit do të ketë pritje nga që të 6 kryetarët e bashkive dhe autoriteteve zyrtare të këtyre ngulimeve arbëreshe. Gjithashtu do të jetë një mundësi e mirë që të njihemi edhe me monumentet kulturore e historike, përfshi edhe vizitën në bibliotekën e famshme të At Antonio Belushit ( Belluscit)
Falë organizimit të mirë të mësuesve , drejtorit të shkollës në Ungra dhe zonjës, Ornela Radivicka, Drejtuese e Qendrës albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga Antonio Bellusci, në njërën anë dhe palës tjetër: Shkollës Shqipe në Zvicër, pri nga Vaxhid Sejdiu e të përkrahur që nga themelimi edhe nga LKSHM-ja, me kryetar Musa Jupolli e sekretar Mentor Thaqi, sot kemi para vetës një projekt praktik, kthyer në një mision shpresëdhënës: që të nxitet dhe avancohet mësimi i arbërishtes në shkollat e ngulimeve arbëreshe, jo vetëm në Ungra por edhe në ngulimet tjera arbëreshe.Sa i përket vizitës së parë të nxënësve e mësuesve nga Zvicra e që do të ketë edhe një vizitë kthimi nga nxënësit e mësuesit e arbërishtes, me gjasë në shtator në Zvicër, përçka edhe një kontribut financiar për vizitën e kthimit e ka dhënë edhe shoqata “Hora e Skënderbeut”, qëllimi kryesor i tërë këtij organizimi është që fëmijët tanë kudo që janë të flsin e kultivojnë gjuhën e tyre amtare, pavarësisht se ku jetojnë, por që edhe të njihen mes veti nga afër e të bashkëpunojnë si vëllezër e motra të një gjaku, gjuhe e të një rrënje të përbashkët identitare.
Mësues e nxënës nga Zvicra për vizitë në Kalabri te klasat e mësimit arbëresht . Takimi i parë u mbajt në Bashkinë e komunës së Çiftit/ Civita ku u pritëm shumë përzemërsisht nga motrat dhe vëllezërit arbëresh dhe autoritetet vendore të angazhuara në hapjen e klasave në gjuhën amtare- arbëreshe./Rexhep Rifati


