4 C
Berne
dimanche 22/12/2024

Kriminelët e regjimit dhe viktimat e tranzicionit

Shkruan: Ilir YZEIRI

Shpallja fajtor dhe shoqërimi për në qelitë e burgut të ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, është një moment për të bërë një refleksion më të thellë dhe për të analizuar se ajo që po ndodh në Shqipëri është një tekst që duhet lexuar me kujdes.

Shqiptarët, sidomos këta muajt e fundit, po neveriten nga protagonizmi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në mediat gjithfarëllojëshe ku ata po na shfaqen si « kampionë » të demokracisë, si « ëngjëj » të mbrojtjes së ligjit, si « luftëtarë » kundër korrupsionit, si denoncues që u digjet shpirti për këtë popull e për këtë vatan. Analizat e pështira dhe narrativa e Berishës kur intepreton dhe tregon se çfarë ka ndodhur me fatin e Sajmir Tahirit është vërtet gjëja më e rëndë që mund të pësojë hapësira publike e një vendi normal.

Në këtë vend ka humbur ndjenja e masës dhe kujdesi për të qenë dinjitoz dhe i përunjur. Sali Berisha dhe Ilir Meta, këta dy shtetarë të lartë të këtij vendi, po duan të na bëjnë të gjithëve idiotë e budallenj. Po pse ? Sepse drejtësia në këtë vend ende nuk po guxon të përballet me kriminelët e regjimit. Konkretisht. Pas rënies së diktaturës, pra pasi ajo u shpartallua vetë dhe jo pse e rrëzuan shqiptarët, Sali Berisha ia arriti që të ndërtonte një regjim neokumunist. Ky njeri që akuzon sot Edi Ramën se ka gjithë pushtetet në dorë jo vetëm që mashtron, por ka harruar se, sapo erdhi në pushtet, shkatërroi çdo element të demokracisë dhe ashtu si regjimet neofashiste apo neokumuniste të Amerikës Latine, krijoi policinë sekrete të vetën.

Kujtoni SHIK-un famëkeq të tij dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, masakrimin e gazetarëve dhe të kryeministrit të sotëm. Ndërtoi një sistem gjyqësor që e kishte tërësisht në kontroll që nga përgatitja deri në emërimin e tyre. Eleminoi institucionin e zgjedhjeve të lira në vitin 1996 dhe nxiti iluzionin e pasurimit të shpejtë me anë të firmave piramidale. Po ashtu, ne emër të barazisë në krim dhe në pronë jo vetëm që nuk e ndali, por e nxiti zaptimin pa asnjë kriter e rregull të tokave në Tiranë nga banorët fatkeqë të zonave rurale që sot po protestojnë sepse shtëpitë e tyre do të prishen për arsye të interesit publik. Duke u vënë vetë në krye të këtij regjimi, ai prodhoi vitin 1997 dhe kur rierdhi përsëri në pushtet, regjimi që ai kishte ndërtuar ishte po aty. Gjykatat dhe shërbimi sekret ishte po ai që kishte ndërtuar Berisha me ndonjë përjashtim të papërfillshëm. Regjimet prodhojnë krime nga natyra e tyre. Në qeverisjen e tij u shtua edhe Ilir Meta i cili e kompletoi atë regjim me përmasën e shtetarit të korruptuar. Në fillim Gërdeci, pastaj blloku i Ilir Metës dhe 21 janari. Më parë ish-delfini i tij, Ministri i tTrasnporti Lulëzim Basha iu shmang paraqitjes në gjykatë me procedurë kur u akuzua për shpërdorime me fondet për ndërtimin e Rugës së Kombit, ashtu si Fatmir Medium ë pas në skandalin e Gërdecit me 26 të vrarë. Regjimi nuk e njeh drejtësinë. Vjedhjet spektakolare të familjarëve të tij dhe krimet politike shënuan fundin e atij regjimi në vitin 2013. Regjimi ra, por kriminelët që e ndërtuan atë mendonin se e kishin ndërtuar sistemin në mënyrë të tillë që ata dhe familjarët e tyre të mos prekeshin.

Edi Rama ka dhjetëra e qindra kusure, por atij i duhet njohur merita sepse ishte kryeministri i parë që e shkallmoi këtë regjim duke i hapur rrugën reformës në drejtësi dhe duke e hedhur në erë atë shtëpi të mallkuar që ishte bërë tmerri i shqiptarëve dhe vatra e qelbit korruptiv. Ajo që po ndodh sot është pikërisht rezultat i kësaj inisiative, i këtëij realiteti. Në fillim kryetari i bashkisë së Lushnjes, pastaj ministri Koka dhe tani një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Sajmir Tahiri përfundojnë pas hekurave.

E përfytyroni se çfarë do të kishte ndodhur po të ishim ende nën regjimin e Sali Berishës ? E kujtoni si e sfidoi ai Ina Ramën ish-Prokuroren e Përgjithshme pse ajo kërkoi arrestimin e zinxhirit komandues të Gardës për vrasjet në Bulevard ? Ky është ndryshimi.

SHBA-të patën parasysh pikërisht regjimin kriminal që ndërtoi ky njeri kur e shpallën atë « non grata » dhe kur e identifikuan si njeriun që kishte bërë korrupsion substancial për familjen dhe aleatët e tij, që kishte bërë presion mbi drejtësinë dhe kishte minuar drejtësinë. Ai dhe familja e tij që tani po na bëjnë moral demokratik nëpër tribuna janë etiketuar ashtu si kriminelët serbë të Urës së Ibrit në Kosovë dhe të tjerë figura të krimbura në korrupsion e krim.

Mirëpo drejtësia shqiptare nuk po merret me regjimin. Nuk kuptohet pse. Një arsye është se ajo është e trembur akoma prej tyre dhe tregohet e pamëshirshme me ata që unë do t’i quaja viktima të tranzicionit. Për këta të fundit mirë bën. Të paktën të fillojë të ndërtohet morali se përballë ligjit të gjithë janë të barabartë.

Drejtësia shqiptare dy herë ka dështuar. Ajo nuk identifikoi kriminelët e regjimit diktatorial pas rënies së diktaturës. Po pse ? Sepse ai që e pengoi atë aktivitet ishte Sali Berisha. Në vend që të nxitte gjykimin dhe dekriminalizmin e diktaturës ai bëri një luftë të re klasash duke larguar nga puna të ashtuquajturit komunistë dhe duke mbajtur rreth vetes spiunët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit. E dyta herë duket se është tani. Shenjat e para nuk janë të mira. Kjo drejtësi nuk po na jep sinjale se do të vërë para drejtësisë edhe kriminelët e regjimit ashtu siç po bën me viktimat e tranzicionit demokratik.

Derniers articles