5.5 C
Berne
mercredi 4/11/2026

KUR FEJA BËHET TITULL: GAZETARI APO NDARJE FETARE?

Pse kur zgjidhet një politikan mysliman, feja e tij bëhet lajm, ndërsa kur zgjidhet një i krishterë, kjo zakonisht nuk përmendet? Një standard i dyfishtë që meriton të vihet në pikëpyetje, ka srkuar redaktori i gazetes zvicerane ne shqip LeCanton27.ch
Disa portale kanë publikuar tituj të tillë si: «Abdul El-Sayed: senatori i parë mysliman në Amerikë».
Në shikim të parë, mund të duket si një titull që evidenton një zhvillim historik. Por, a duhet të jetë përkatësia fetare elementi kryesor i një lajmi për zgjedhjen e një politikani? Ku përfundon informimi për diversitetin dhe ku fillon veçimi fetar?
Kjo pyetje nuk është e re. I njëjti fenomen është vërejtur edhe në raportimet për kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, dhe kryetarin e Nju-Jorkut, Zohran Mamdani. Në shumë raste, përkatësia e tyre myslimane është vendosur në plan të parë, sikur të ishte elementi kryesor që i përcakton në jetën publike.
E nesër, nëse Lana Zaki Nusseibeh zgjidhet sekretare e përgjithshme e OKB-së, a do të shohim tituj të tillë: «Për herë të parë, një myslimane në krye të OKB-së»?
Mbajeni mend këtë pyetje, sepse pikërisht këtu qëndron thelbi i debatit.
Pse nuk përdoret i njëjti standard për të gjithë?
Pse kur një mysliman zgjidhet senator, kryetar bashkie apo merr një post të rëndësishëm publik, titulli shpesh e vë në plan të parë fenë e tij, ndërsa kur fiton një i krishterë, zakonisht nuk shkruhet: «Një katolik fiton zgjedhjet»?
Në Kosovë, për shembull, kemi qytetarë të besimit katolik që marrin poste të rëndësishme publike. Por zakonisht nuk e konsiderojmë të domosdoshme ta vendosim fenë e tyre në titull. Atëherë, pse duhet të veprojmë ndryshe kur bëhet fjalë për një politikan mysliman?
A nuk duhet që suksesi politik të matet me programin, aftësitë, integritetin dhe besimin që qytetarët i japin kandidatit, e jo me përkatësinë e tij fetare?
Natyrisht, përkatësia fetare mund të ketë rëndësi historike dhe shoqërore. Nëse një zgjedhje shënon një precedent të rëndësishëm për përfaqësimin e një komuniteti, mediat kanë të drejtë ta evidentojnë këtë fakt. Por problemi lind kur feja bëhet identifikuesi kryesor i një politikani, ndërsa përkatësia fetare e politikanëve të tjerë mbetet e padukshme.
Kur titulli rrezikon të ushqejë paragjykime
Kur feja e një politikani bëhet titull, ndërsa feja e tjetrit nuk përmendet fare, gazetaria rrezikon ta shndërrojë një dallim identitar në ndarje shoqërore.
Kur një politikan paraqitet vazhdimisht si «myslimani», ndërsa të tjerët paraqiten thjesht si politikanë, krijohet një perceptim i pabarabartë. Një praktikë e tillë mund të ushqejë paragjykime, stigmatizim dhe diskriminim fetar.
Kjo nuk do të thotë se çdo përmendje e fesë është racizëm. Por kur përkatësia fetare përdoret në mënyrë selektive për ta veçuar një komunitet nga të tjerët, atëherë kemi arsye serioze për të folur për profilizim dhe diskriminim fetar.
Unë këtë praktikë, kur nuk ka arsye të mirëfilltë gazetareske, do ta quaja gazetari të dobët, selektive dhe potencialisht stigmatizuese.
Nga etiketimi mediatik te akuzat pa prova
Një tjetër problem është përdorimi i etiketave dhe akuzave politike e fetare si mjete për të diskredituar kundërshtarin.
Donald Trump e ka cilësuar publikisht Abdul El-Sayedin si «xhihadist», pa paraqitur prova publike që do ta mbështesnin këtë etiketim. Një gjuhë e tillë, sidomos kur vjen nga një figurë e fuqishme politike, ngre pikëpyetje serioze për përgjegjësinë e komunikimit publik.
Fatkeqësisht, një fenomen i ngjashëm vërehet edhe në Kosovë. Disa portale dhe zëra publikë përdorin akuza dhe etiketime ndaj deputetëve apo figurave politike, përfshirë edhe deputetin Mulla Osmani, pa i shoqëruar ato me prova të verifikueshme.
Çdo politikan, pa dallim partie apo feje, duhet të jetë subjekt i kritikës publike. Por kritika nuk është e njëjtë me shpifjen, as akuza me faktin e provuar.
Kur mungojnë argumentet dhe provat, etiketimet e pabazuara mund të kthehen në mjete për të goditur një kundërshtar politik apo një pjesëtar të një komuniteti fetar. Dhe kjo është e rrezikshme për demokracinë, për lirinë e shprehjes dhe për bashkëjetesën ndërfetare.
Demokracia nuk duhet të numërojë fetë, por të respektojë qytetarët.
Në fund, parimi është i thjeshtë: nëse feja nuk është kriter për zgjedhjen, nuk duhet të bëhet automatikisht as kriter për titullin. Nëse vendosim ta përmendim, duhet ta bëjmë me të njëjtin standard për të gjithë.
Nuk duhet të ketë një standard për myslimanët dhe një tjetër për të krishterët, një standard për shumicën dhe një tjetër për pakicën.
Në Kosovë, qytetarët e besimeve të ndryshme kanë dëshmuar se mund të votojnë, të zgjedhin dhe të besojnë te përfaqësuesit e tyre pa u ndarë sipas fesë. Ky është një realitet që duhet të mbrohet dhe të promovohet.
Gazetaria duhet të ndërtojë ura, jo mure. Duhet të informojë, jo të etiketojë. Dhe mbi të gjitha, duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët me të njëjtin standard, pavarësisht se çfarë besojnë apo cilës fe i përkasin.
Sepse demokracia bashkon qytetarët; paragjykimi i ndan.

Derniers articles