7.7 C
Berne
jeudi 19/11/2026

Presidenti Guy Parmelin: Marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë Excellent!

Bernë, 25 nëntor – Sot, në Bernë të Zvicrës, u mbajt dreka presidenciale, nën organizimin e Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Botërorë (APES), kryesisht pranë OKB-së në Gjenevë, në bashkëpunim me Presidencën zvicerane. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, njëherësh shef i Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike. Në këtë drekë presidenciale ishte ftuar edhe redaktori i gazetës zvicerane në gjuhën shqipe, LeCanton27.ch.

Në Bernë, dreka presidenciale e APES-it me presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin – Në fokus edhe Kosova dhe diaspora shqiptare

Në këtë evenement tashmë tradicional, që organizohet prej 50 vitesh me presidentët e Zvicrës, morën pjesë rreth 100 personalitete zvicerane dhe ndërkombëtare, ndër të cilët edhe 34 gazetarë botërorë, përfaqësues të mediave prestigjioze të akredituara pranë OKB-së.

Pas drekës me presidentin Guy Parmelin, gazetarët patën mundësinë të merrnin pjesë në një konferencë shtypi, ku u diskutua edhe për Kosovën, shqiptarët në Ballkan dhe diasporën shqiptare.

Disa ditë më parë, presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, përmes gazetës zvicerane në gjuhën shqipe LeCanton27.ch, i kishte përcjellë urimet e tij Kosovës për stabilitetin institucional, zgjedhjen e presidentes së re dhe formimin e Qeverisë së re.

Në urimin drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula thuhet: “Shkëlqesi, Në emër të Këshillit Federal të Konfederatës Zvicerane, kam nderin t’ju shpreh urimet e mia të sinqerta për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës.”

(Excellency, on behalf of the Federal Council of the Swiss Confederation, I have the honour of extending to you my sincere congratulations on your election as President of the Republic of Kosovo.) Kështu citon gazeta zvicerane në gjuhën shqipe LeCanton27.ch.

Marrëveshja Kosovë–EFTA, një mundësi e re për ekonominë dhe bizneset shqiptare

Marrëveshja e tregtisë së lirë Kosovë–EFTA u nënshkrua më 22 janar 2025 në Davos, në prani të presidentit Guy Parmelin dhe kryeministrit Albin Kurti. Ajo ka hyrë në zbatim nga 1 tetori, duke hapur një mundësi të re për ekonominë dhe bizneset tona, veçanërisht për produktet me markën “Made in Kosova”.

Gjatë konferencës së sotme me presidentin e Zvicrës, gazetari i LeCanton27.ch, Nefail Maliqi, i parashtroi presidentit zviceran disa pyetje lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, si dhe zhvillimet në rajon.

Gazetari: Zoti President, si janë marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës?

Siç e dini, sot Kosova ka institucionet e saj politike: Qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin. Në Zvicër kemi gjithashtu një diasporë të madhe kosovare. Para një viti, në Davos, ju nënshkruat me Kosovën një marrëveshje të tregtisë së lirë. Kosova gjithashtu ka ambasadorin e saj në Zvicër. Përveç kësaj, edhe ushtarët zviceranë po bëjnë një punë shumë të mirë dhe po kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në Serbi ka zhvillime të reja politike. Si i vlerësoni këto zhvillime dhe çfarë nënkuptojnë ato për Zvicrën? Siç e dini, Zvicra është e përfshirë fuqishëm në çështjet që lidhen me Kosovën dhe mbështet dialogun në rajon. Çfarë prisni nga procesi i dialogut në Bruksel?

Presidenti GUY PARMELIN: Marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë shumë të mira.

Ne kemi nënshkruar me partnerët tanë një marrëveshje të tregtisë së lirë, të cilën dëshirojmë ta zbatojmë. Ne i mbështesim plotësisht përpjekjet për të garantuar stabilitetin në rajon.

Kam pasur rastin ta takoj dy herë kryeministrin e Kosovës, zotin Albin Kurti. Herën e fundit jemi takuar në Davos, ku arritëm marrëveshjen me EFTA-n, e cila nga 1 tetori ka hyrë në zbatim. Kjo përbën një mundësi të re për ekonominë dhe bizneset e Kosovës, si dhe për produktet “Made in Kosova”.

Sa u përket marrëdhënieve tona me Prishtinën zyrtare, mund të them se marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë të shkëlqyera. Edhe diaspora kosovare këtu në Zvicër është sot shembull integrimi dhe suksesi.

Sa i përket situatës në Serbi, atje janë mbajtur zgjedhjet. Zvicra bashkëpunon me shtetet dhe qeveritë e tyre. Ne do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e re që do të zgjidhet. Kemi marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. Madje, kam realizuar edhe një vizitë shtetërore në këtë vend.

Qeveritë mund të ndryshojnë, por Zvicra vazhdon të bashkëpunojë me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime.

Gazetari: A keni ndonjë mesazh për Beogradin lidhur me dialogun me Kosovën? A duhet të vazhdojë ky dialog?

Presidenti PARMELIN: Dialogu është gjithmonë më i mirë sesa bllokimi i situatës apo sanksionet. Mendoj se ajo që mund ta përmirësojë situatën në këtë rajon është, para së gjithash, stabiliteti.

Kjo do të ishte në të mirë të të gjithë rajonit, jo vetëm të dy vendeve të përfshira, por edhe të të gjithë kontinentit evropian.

Derniers articles