4.5 C
Berne
vendredi 6/11/2026

Humbja e Trumpit në Kongres dhe pasojat e mundshme në peizazhin politik global dhe në Ballkan

Nga Nefail MALIQI

Me humbjen e kontrollit mbi të dyja dhomat e Kongresit amerikan, presidenti Donald Trump ka kaluar brenda natës nga një president me pushtet të jashtëzakonshëm në drejtuesin e një administrate që tashmë përballet me një Kongres të fragmentuar dhe me një opozitë më të fuqishme.

Humbja e Trumpit jo vetëm që po trondit skenën politike në SHBA, por mund të ndikojë edhe në ndryshimin e peizazhit politik global. Humbja e shumicës republikane në Kongres mund të krijojë hapësirë për një debat më të gjerë mbi politikat e administratës Trump, përfshirë edhe ato që lidhen me Ballkanin.

Një nga zhvillimet që tërhoqi vëmendje të veçantë ishte zgjedhja, për herë të parë në historinë e Miçiganit, e një senatori mysliman. Një fytyrë e re e së majtës amerikane, por edhe një dëshmi e pluralizmit dhe e diversitetit që mund të prodhojë demokracia amerikane.

Burra, gra, një person me ngjyrë, një mysliman – këta janë disa nga fituesit që po shkruajnë historinë e zgjedhjeve në SHBA.

Më pëlqeu shumë ky mozaik përfaqësimi. Është i ngjashëm me atë që shohim këtu në Zvicër, ku as feja dhe as ngjyra e lëkurës nuk duhet të jenë arsye për paragjykim apo diskriminim, por ku qenia njerëzore vlerësohet mbi të gjitha.

Bota e civilizuar duhet ta kapërcejë racizmin dhe islamofobinë, për të ecur drejt universalitetit, respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor për të gjithë.

Pasojat politike për Evropën dhe Ballkanin

Kjo humbje ka shkaktuar turbulenca në skenën politike amerikane, ndërsa në kontinente të tjera është pritur me reagime të ndryshme, kryesisht me shpresën se do të krijojë një ekuilibër të ri politik.

Evropa, për shembull, mund të marrë frymë disi më lirshëm, por, nga ana tjetër, mund të përballet edhe me sfida të tjera. Një Kongres më kritik ndaj administratës Trump mund të ndikojë në debatin për marrëdhëniet transatlantike, sigurinë evropiane dhe politikat amerikane në rajonin e Ballkanit.

Megjithatë, duhet të mos harrojmë një fakt thelbësor: Trumpi humbi kontrollin mbi Kongresin, por jo edhe presidencën. Është e rëndësishme të kuptohet se humbja e shumicës republikane në Kongres nuk nënkupton largimin e Donald Trumpit nga Shtëpia e Bardhë. Ai vazhdon të jetë president dhe të ketë kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme, sigurinë dhe diplomacinë amerikane.

A do të ndryshojë politika amerikane në Ballkan?

Nuk duhet të krijojmë iluzione se demokratët, vetëm pse fituan zgjedhjet për Kongresin, do ta ndryshojnë menjëherë politikën amerikane ndaj Kosovës, Serbisë apo Shqipërisë.

Politika e jashtme amerikane përcaktohet nga shumë faktorë: interesat strategjike, siguria, NATO-ja, marrëdhëniet me Evropën dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Për Kosovën, është me rëndësi që Uashingtoni dhe Brukseli të kenë një qasje të koordinuar, e cila mbron sovranitetin e saj dhe nuk e shpërblen politikën e presionit apo të destabilizimit.

Për Shqipërinë, është po aq e rëndësishme që partneriteti me SHBA-në të shoqërohet me standarde të larta demokratike, luftë kundër korrupsionit, drejtësi të pavarur dhe transparencë në përdorimin e pasurisë publike.

Amerika ka qenë dhe duhet të mbetet mike e shqiptarëve. Por miqësia me Amerikën nuk do të thotë që t’ia dorëzosh askujt çelësat e shtëpisë.

Këtë të fundit e them edhe për shkak të protestave të fundit masive dhe maratonike të qytetarëve shqiptarë në Tiranë, kundër asaj që ata e konsiderojnë shitje të tokave shqiptare nga qeveria e Edi Ramës, të cilën e kanë akuzuar për praktika të lidhura me narkotrafikun.

Miqësia me aleatët tanë strategjikë është e domosdoshme, por ajo duhet të ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë, sovranitetin, interesin kombëtar dhe përgjegjësinë demokratike. Asnjë partneritet ndërkombëtar nuk duhet të përdoret si mbulesë për të shmangur llogaridhënien para qytetarëve.

Në fund të fundit, demokracia nuk matet vetëm me fitoret zgjedhore, por edhe me respektimin e vullnetit të qytetarëve, të drejtave të tyre dhe dinjitetit të një kombi.

 

Derniers articles