Prishine 5 nëntor 2026 – Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesi i OSBE-së, Ignazio Cassis, ka vazhduar të enjten pasdite vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga Presidentja Justina Shiroka Pula dhe Kryeministri Albin Kurti, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch.
Bisedojne për intensifikimin e marëdhënive mes Bernës dhe Prishtinës
Gjatë takimit me kryeministrin Kurti, në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetja e vazhdueshme e Bernës për zhvillimin e Kosovës.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. Ai e falënderoi gjithashtu Cassis-in për zgjatjen e mandatit të kontingjentit zviceran SWISSCOY dhe rritjen e numrit të ushtarëve të Zvicrës në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë”, deklaroi Kurti.
Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin ekonomik, proceset e integrimit evropian, rolin e Zvicrës në këto procese, si dhe për përfaqësimin e Kosovës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte ftesa e Cassis-it drejtuar kryeministrit Kurti për të marrë pjesë në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Cyrih në prill të vitit 2027.
Nga ana e tij, Kurti e ftoi shefin e diplomacisë zvicerane të vizitojë edhe Shtëpinë e Kosovës në Davos, gjatë Forumit Ekonomik Botëror, që do të mbahet në janar të vitit 2027.
Takimi në Prishtinë rikonfirmon marrëdhëniet e afërta ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, të cilat mbështeten jo vetëm në bashkëpunimin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në lidhjet e fuqishme njerëzore që kanë krijuar ndër vite diaspora shqiptare në Zvicër dhe shoqëria zvicerane.

