16 C
Berne
mardi 22/09/2026

Kryeministri i Kosovës po mbron UCK-ne ne SHBA. Kurti, cfare bisedoi për shqiptaret me presidentin e Turqisë Erdogan?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në New York për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Kurti tha se gjatë takimit e falënderoi Erdoganin për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës, ndërsa diskutuan edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, ushtarak dhe në fushën e sigurisë.

Sipas Kurtit, tregtia mes dy vendeve ka arritur në rreth 1 miliard dollarë, ndërsa përmendi edhe investimet turke në Kosovë, përfshirë fabrikën e municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.

Në takim u diskutua edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë.

Postimi i plotë:

Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, që nisi sot, e fillova me takimin me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Presidentin Erdoğan e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin tonë ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kosova me Turqinë kanë vazhduar forcimin dhe rritjen tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia.

Në anën tjetër, shpreha mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tonë.

Me Presidentin Erdoğan diskutova edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel.

Një çështje tjetër të diskutimit që ngritëm së bashku me Kryetaren e Preshevës Ardita Sinani ishte diskriminimi i vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje. Simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet tona përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë.

Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike e tregtare. Në fund, me kënaqësi i bëra ftesë Presidentit Erdoğan për vizitë në Republikën e Kosovës.

Derniers articles