Prishtinë, 7 nëntor 2026 – Shefi i diplomacisë zvicerane dhe njëherësh kryesuesi i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ignazio Cassis, ka zhvilluar të enjten një vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij diplomatik në Ballkanin Perëndimor, që përfshin edhe Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryediplomati zviceran zhvilloi takime të nivelit të lartë me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe homologun e tij kosovar, ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Presidentja Shiroka-Pula priti kryediplomatin zviceran Cassis: Investimet, diaspora dhe mbështetja për Kosovën në fokus të takimi
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim zyrtar shefin e diplomacisë zvicerane, Ignazio Cassis, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të turneut të tij diplomatik në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimit të Zvicrës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë takimit, presidentja Shiroka-Pula dhe kryediplomati zviceran diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve zvicerane në Kosovë, si dhe mbështetjen e Bernës për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Në kuadër të bisedimeve u trajtua edhe çështja e sigurisë në Kosovë dhe kontributi i Zvicrës përmes pjesëmarrjes së saj në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Presidentja Shiroka-Pula shprehu mirënjohje për angazhimin e ushtarëve zviceranë, të cilët janë pjesë e pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë që nga viti 1999.
Diaspora shqiptare, ura më e fuqishme ndërmjet Bernës dhe Prishtinës
Një dimension i veçantë i takimit ishte edhe roli i diasporës shqiptare në Zvicër, e cila ndër vite ka ndërtuar lidhje të fuqishme njerëzore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.
Për Kosovën, Zvicra mbetet jo vetëm një partner i rëndësishëm diplomatik dhe ekonomik, por edhe një vend me të cilin e lidh një histori e veçantë solidariteti, e ndërtuar në masë të madhe falë diasporës shqiptare.
Vizita e Cassis-it, sipas agjendës së bërë publike dhe temave të trajtuara në takime, kishte në qendër forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Bernës dhe Prishtinës, bashkëpunimin ekonomik, proceset e integrimit evropian, dialogun politik dhe kontributin e Zvicrës për paqen e sigurinë në Kosovë dhe rajon.
Kurti–Cassis: Marrëdhëniet ndërtohen mbi miqësinë dhe kontributin e diasporës
Në takimin me kryeministrin Albin Kurti, në fokus ishte intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimi i mbështetjes zvicerane për zhvillimin dhe demokratizimin e Kosovës.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës, duke vlerësuar në veçanti edhe vendimin për zgjatjen e mandatit të kontingjentit zviceran SWISSCOY dhe rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë”, deklaroi Kurti.
Gjatë bisedës u trajtuan gjithashtu bashkëpunimi ekonomik, perspektiva evropiane e Kosovës dhe roli që mund të luajë Zvicra në avancimin e proceseve integruese.
Një element me rëndësi për vazhdimin e kontakteve politike ishte ftesa e Cassis-it drejtuar Kurtit për të marrë pjesë në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit 2027.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti e ftoi ministrin zviceran të vizitojë edhe Shtëpinë e Kosovës në Davos, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në janar të vitit 2027.
Cassis–Konjufca: EFTA dhe mundësitë e reja ekonomike
Një takim tjetër i rëndësishëm ishte ai me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.
Diskutimet ndërmjet dy kryediplomatëve u përqendruan në mundësitë për thellimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, veçanërisht përmes marrëveshjes së tregtisë së lirë me shtetet e EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra.
Në tryezën e bisedimeve ishin gjithashtu marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe sfidat aktuale gjeopolitike, të cilat po ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin evropian.
Cassis e mirëpriti homologun kosovar edhe në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë. Ky moment përfaqëson një tjetër simbol të pranisë dhe angazhimit të vazhdueshëm zviceran në Kosovë.
Zvicra në KFOR: Cassis viziton ushtarët zviceranë në Film City
Në kuadër të vizitës, Ignazio Cassis qëndroi edhe në kampin Film City në Prishtinë, ku u takua me pjesëtarët e kontingjentit zviceran SWISSCOY, të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it.
Gjatë takimit, ai u informua për detyrat dhe kontributin e ushtarëve zviceranë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Cassis i falënderoi ata për përkushtimin dhe shërbimin e tyre në këtë mision ndërkombëtar.
Prania e SWISSCOY-t në Kosovë është një dëshmi konkrete e angazhimit të Zvicrës për sigurinë në rajon. Përtej dimensionit ushtarak, ky kontribut pasqyron edhe përgjegjësinë që Berna ka marrë në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Kosova dhe Zvicra: Një partneritet përtej diplomacisë
Vizita e Ignazio Cassis-it në Prishtinë vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë mundësi të reja zhvillimi, veçanërisht në fushën e tregtisë, investimeve dhe bashkëpunimit institucional.
Zvicra është një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës, jo vetëm përmes bashkëpunimit politik dhe ekonomik, por edhe për shkak të lidhjeve të veçanta njerëzore që i bashkojnë dy vendet. Diaspora kosovare në Zvicër ka luajtur ndër vite një rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve, duke krijuar ura të qëndrueshme mes shoqërive, ekonomive dhe institucioneve të të dyja vendeve.
Në këtë kuptim, mesazhi i vizitës së Cassis-it në Prishtinë është se partneriteti zvicerano-kosovar duhet të vazhdojë të zhvillohet në disa drejtime njëkohësisht: siguri, ekonomi, diplomaci dhe perspektivë evropiane.
Pas ndalesës në Kosovë, kryediplomati zviceran vazhdon turneun e tij në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të angazhimit të Zvicrës për dialog, bashkëpunim rajonal dhe stabilitet afatgjatë.

