Shtutgard, 18 shtator -Këngëtarja e njohur shqiptare Pejane Vlora Kastarti-Shala, e njohur në të gjithë komunitetin shqiptar,krahas këngëve të dashurisë dhe motiveve të ndryshme muzikore, një pjesë të rëndësishme të repertorit të saj ia ka kushtuar edhe këngëve patriotike.
Në repertorin e saj zënë vend këngët kushtuar lirisë së Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jasharit, familjes Jashari dhe Prekazit. Për të, këto këngë janë më shumë se një shprehje artistike: ato lidhen me kujtesën, emocionet dhe historinë që shqiptarët e Kosovës e kanë bartur edhe në diasporë.
Vendimet e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas Kastarti-Shalës, janë përjetuar me trishtim të madh.
Vlora: O njerëzit e mi, o ushtarët e mi, o shqiptarët e mi, une uk e kam organizuar protestën!
Por reagimi i saj nuk lidhet vetëm me proceset gjyqësore. Në një postim në Facebook, pas publikimit të një thirrjeje për një organizim në mbështetje të UÇK-së dhe kundër asaj që ajo i konsideron padrejtësi të lidhura me proceset në Hagë, këngëtarja thotë se është përballur me kërcënime dhe fyerje.
Ajo thotë se ajo që e ka dhembur më shumë është përçarja mes shqiptarëve në rrjetet sociale.
Kastarti-Shala ka sqaruar se nuk ka qenë organizatore e protestës, por se thirrja i është kërkuar të publikohej në mënyrë që të arrinte te një numër sa më i madh njerëzish.
“Unë nuk e kam organizuar këtë protestë. Thjesht më është kërkuar ta postoj, në mënyrë që thirrja të shihet dhe të dëgjohet nga sa më shumë njerëz”, ka shkruar ajo.
Megjithatë, këngëtarja e sheh mbështetjen ndaj UÇK-së dhe çështjeve që lidhen me të si një përgjegjësi të saj personale dhe qytetare.
Ajo apelon që dallimet politike të mos shndërrohen në përçarje mes shqiptarëve.
“Një gjë është zgjedhja e partive politike, e tjetër gjë është emri i UÇK-së, historia e saj dhe qëndrimi ynë ndaj liderëve tanë dhe proceseve në Hagë. Ju lutem, mos i përzieni këto gjëra”, shprehet Kastarti-Shala.
“Mos shani, mos ofendoni dhe mos kërcënoni”
Në një kohë kur rrjetet sociale janë shndërruar në një hapësirë të debateve të ashpra mes shqiptarëve, ajo bën thirrje për përmbajtje dhe respekt.
Mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë: të mos ketë fyerje, kërcënime apo gjuhë urrejtjeje mes shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike.
Kastarti-Shala kërkon që çdo protestë apo organizim i diasporës shqiptare të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, duke respektuar ligjet e shteteve ku organizohen.
“Le ta tregojmë këtë me paqe, me dinjitet dhe me unitet”, është një nga mesazhet e saj.
Ajo paralajmëron gjithashtu kundër çdo veprimi që mund të dëmtojë imazhin e shqiptarëve në vendet ku jetojnë.
“Jo më skandale, jo urrejtje, jo fyerje e jo përçarje mes vete. E as dëme nëpër shtetet ku organizojmë protesta. Mos bini në sy të keq”, apelon këngëtarja.
“Jemi UÇK e paqes”
Në mesazhin e saj, Kastarti-Shala e lidh mbështetjen për UÇK-në me idenë e paqes, dinjitetit dhe të drejtave.
“Le t’i bindim të gjithë se nuk jemi kriminelë, por një popull që kërkon të mbrojë dinjitetin, të drejtat dhe lirinë e vet”, shprehet ajo.
Dhe mesazhin e përmbyll me një apel për unitet:
“Jemi UÇK që e mbrojmë vendin tonë. Jemi shqiptarë. Dhe nuk duhet të përçahemi mes vete.”
Për Vlora Kastarti-Shalën, muzika dhe qëndrimi publik janë dy mënyra për të shprehur atë që ajo e konsideron lidhje me Kosovën dhe historinë e saj. Në skenat e diasporës, këngët për dashurinë bashkëjetojnë me këngët për lirinë, ndërsa përmes repertorit patriotik ajo vazhdon të përcjellë te publiku shqiptar kujtesën për UÇK-në, Adem Jasharin dhe Prekazin.
Në një kohë kur zhvillimet në Hagë kanë rikthyer në qendër të debatit publik historinë e luftës së Kosovës dhe figurat e ish-krerëve të UÇK-së, Kastarti-Shala zgjedh një mesazh të qartë: më pak përçarje, më shumë unitet, paqe dhe dinjitet.
